Masa “Paraqitje në Polici” Për Shpërthimin në Lokalin Sekiraqa

Përgjatë muajit nëntor, Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendimin që pesë të pandehurve në rastin e njohur të shpërthimit në lokalin Sekiraqa, t’u caktohet masa e paraqitjes në stacionin policor. Prokurorja Speciale Maria Bamieh, pritet të ankohet ndaj aktvendimit të gjykatës.

 Eksplozivi kishte shpërthyer më 27 shtator 2007 në lokalin “Sekiraqa”, që ndodhet në lagjen “Dardania” në Prishtinë, duke vrarë dy persona. Dhe plagosur edhe njëmbëdhjetë veta.

Dyshimet për kryerjen e veprave penale rëndojnë mbi policët Bejtullah Mehmeti (1979), Luan Qerkini (1977), Bekim Suma (1970), Fadil Sadiku (1979), ish policët Arbresh Dalipi (1981) e Mehmet Mehmeti (1975), ish pjesëtarin e TMK-së, Nusret Cenën (1975) dhe Afet Dalloshin (1978).

Lidhur me shpërthimin në fjalë, Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë Speciale të Kosovës dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, që në këtë aktakuzë janë dëshmitarë, në shtator të vitit 2009, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 25 vjet burgim për vepra penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Ndërsa, Nysret Cena atëherë ishte liruar nga akuzat.

Hasani e Qerimi edhe nga Gjykata Supreme e kanë të konfirmuar dënimin dhe janë në vuajtje të tij.

Bejtullah Mehmeti, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi  e Mehmet Mehmeti do të paraqiten në stacionin policor, si masë e urdhëruar nga gjykata, me arsyen se të njëjtit ka rrezik të ikin nga Kosova.

Ata janë mes tetë të akuzuarve të rinj për shpërthimin e para gjashtë vjetëve në lokalin Sekiraqa.

Në këtë seancë dëgjimore, jo të gjithë të pandehurit kishin ardhur me kohë në gjykatë, edhe pse ftesat u ishin bërë me telefon.

Bekim Suma, polic i suspenduar nga Hani i Elezit, erdhi me më shumë se dy orë vonesë në seancën e caktuar nga gjykatësja e EULEX-it  Anna Adamska Galant. Ndërsa në këtë seancë nuk ishin Nusret Cena, Luan Qerkini e as Afet Dalloshi.

Prokurorja Speciale, Maria Bamieh, përmes aktakuzës kishte kërkuar nga gjykata që të gjithë të pandehurve t’u caktohet masa e arrestit shtëpiak, pasi sipas saj, ata mund të ikin nga Kosova dhe  të ndikojnë në dëshmitarë.

Kërkesa e prokurorisë, u kundërshtua fuqishëm nga e gjithë mbrojtja e të pandehurve si dhe vetë të pandehurit.

Shumica e tyre përmenden arsyet financiare pse nuk duhet të qëndrojnë në arrest shtëpiak, disa edhe duke deklaruar pafajësinë e tyre për këtë rast.

Gjykata me radhë dëgjoi të gjithë mbrojtësit, ku secili nga ta ceku faktin se të mbrojturit e tyre kanë qenë në arrest shtëpiak deri më 30 shtator 2013 dhe sot të gjithë i janë përgjigjur gjykatës.

Madje mbrojtësi i Bejtullah Mehmetit, avokati Hilmi Zhitia, tha se i mbrojturi i tij edhe pse nuk ka pasur vendim, nga 30 shtatori deri më sot ka qëndruar pa dalë askund, në arrest shtëpiak.

Mbrojtja i tha gjykatës se të pandehurit nuk do të largohen nga Kosova dhe se kanë pranuar të përballen me drejtësinë.

Të njëjtit fokusuan se dëshmitarët kryesorë të prokurorisë janë në burg dhe të mbrojtur, ndërsa komunikimi me ta nuk është tentuar as direkt e as indirekt.

Në dhjetor të këtij vitit pritet të fillojë një proces gjyqësor i dytë lidhur me shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës ka akuzuar tetë persona të tjerë për këtë shpërthim.

Shpërthimi në kafenenë “Sekiraqa” kishte ndodhur rreth një muaj pas vrasjes së policit Triumf Riza, ndërsa policia atëkohë besonte se përgjegjës për vrasjen e tij ishte një bashkëpunëtor i afërt i Sekiraqës.

Sipas aktakuzës, polici Triumf Riza dhe Enver Sekiraqa, që njihet si “gangsteri” i Prishtinës, kishin marrëdhënie të tendosura për shkak se Riza ishte në lidhje intime me këngëtaren Adelina Ismajli, që kishte qenë ish-e dashura e Sekiraqës.

Sekiraqa është duke u gjykuar për sulm ndaj personit zyrtar të kryer në vitin 2005,  në kohën kur po e vuan një tjetër dënim prej 2 vjetësh në burgun e Dubravës për veprën e njëjtë të kryer në vitin 2007, pas dorëzimit të tij te Eulex-i, tetorin e vitit të kaluar.