Dëshmitarët Rrëfejnë Për Kontroll Mizor Të Komandantëve të Drenicës

Gjykata Themelore në Mitrovicë, përkatësisht gjykatësit e EULEX-it në këtë gjykatë gjatë nëntorit kanë pranuar aktakuzën kundër 15 të pandehurve të njohur si Grupi Drenica.

Të gjithë të pandehurit po akuzohen për krime të luftës kundër popullatës civile, duke i akuzuar për cenim të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve. Dy nga të pandehurit po akuzohen edhe për dy vrasje.

Sipas aktakuzës, të pandehurit e ngarkuar me vepra penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, i mbanin të ndaluarit në dhoma të një objekti që më parë ishte stacion i policisë serbe.

Aty, prokuroria e misionit evropian thotë se duke filluar nga pranvera e vitit 1998, ishin vendosur shumë figura të larta të UÇK-së, me bazë gjysmë të përhershme, mes tyre edhe tash të pandehurit Sylejman Selimi e Sami Lushtaku, komandantë të asaj kohe dhe zyrtarë ushtarakë e politikë të pasluftës.

Në grupin e të akuzuarve ndodhen një deputet, një ambasador, dy kryetarë komunash, një truprojë e kryeministrit dhe një drejtues policie, teksa katër të pandehur janë vëllezër me mbiemrin Demaj dhe katër të tjerë me mbiemrin Demaku.

Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Avni Zabeli, Isni Thaçi, Jahir Demaku dhe Zeqir Demaku po qëndrojnë në paraburgim nga 31 maji i 2013-ës, atëherë kur Gjykata e Apelit ua ndryshoi masën e arrestit shtëpiak me paraburgim.

Shtatë të akuzuarve të mëparshëm, në nëntor iu shtuan edhe tetë të tjerë: Agim, Bashkim, Selman e Driton Demaj, Fadil e Nexhat Demaku, Sabit Geci e Ismet Haxha.

Prokurori Salustro në bazë të provave të mbledhura, thotë se ka dyshim të mirëbazuar për të akuzuarit, ndërsa gjatë procesit pritet të dëshmojnë 20 dëshmitarë, disa nga të cilët, të mbrojtur e të koduar me shkronja alfabeti.

Nga EULEX-i u mor në pyetje edhe gazetari Milaim Zeka, ngase sipas misionit, në një edicion të tetorit të emisionit Pa Rrotlla, zbuloi identitetin e një dëshmitari të mbrojtur në gjykimin kundër pesëmbëdhjetë të akuzuarve.

Ambientet familjare, ato të punës dhe makina e Zekës u bastisën të njëjtën ditë, ndërsa atij të nesërmen i erdhi ftesa që të paraqitet në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, më 25 nëntor.

Aktakuza ngarkon Sylejman Selimin, Isni Thaçin, Agim, Bashkim, Selman e Driton Demajn dhe Fadil, Zeqir, Nexhat e Jahir Demakun se një pjesë të veprave penale me të cilat ngarkohen, i kanë kryer në një datë të papërcaktuar të shtatorit 1998 në Likovc.

Aktakuza mes tjerash thotë se të ndaluarit janë keqtrajtuar “duke i rrahur ata me grushte dhe shkopinj druri, duke detyruar Dëshmitarin A dhe Dëshmitarin B të rrahin njëri tjetrin, duke e pickuar Dëshmitarin A nga organet gjenitale me një mjet të hekurt dhe tërhequr me të duke e zvarritur nëpër dysheme”.

Për vrasjen e komandantit të policisë serbe në Gllogovc, tash Drenas, Ivan Bulatoviqit, të mbajtur po ashtu në Likovc, që mendohet të ketë ndodhur në fillim të qershorit 1998, nga prokurori akuzohet direkt Sabit Geci, ndërsa sipas aktakuzës Gecin e ndihmoi gjatë ekzekutimit, edhe Sahit Jashari.

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, i arrestuar në majin e vitit 2013, ngarkohet edhe për rrahje në bashkëkryerje me grushte e mjete të forta të Dëshmitarit A, B, I dhe dy personave të panjohur nga fshatrat Gllanasellë e Shipol.

Selimi , sipas aktakuzës, bashkë me disa nga të pandehurit tjerë, ka “cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një numri të papërcaktuar të civilëve shqiptarë, duke i mbajtur ata të lidhur me zinxhirë, në kushte të papërshtatshme, nxehtësi të madhe, mungesë higjiene, ushqim të pamjaftueshëm, e rrahje të shpeshta, kryesisht gjatë shtatorit të vitit 1998, por edhe më herët”.

Sami  Lushtaku akuzohet për mbajtje në kushte çnjerëzore të të ndaluarve, për ekspozim ndaj rrahjeve prej të  tjerëve të Dëshmitarit F dhe për vrasje të një civili të panjohur shqiptar. 

Sipas aktakuzës Lushtaku e ka kryer vrasjen me një pistoletë të tipit TT në shtatorin e 1998-ës, ndërmjet fshatrave Galicë dhe Dubovc.

Këtë vrasje në aktakuzë thuhet se e shpjegoi detajisht Dëshmitari D, i pranishëm gjatë saj. Personi i panjohur që prokuroria thotë se më vonë u vra, ishte kapur dhe po mbahej nga ushtarët e UÇK-së, kur Lushtaku e ekzekutoi.
 
Aktakuza përshkruan se në lidhje me rolin e tij në Zonën Operative të Drenicës, ekzistojnë prova që Sami Lushtaku ka ushtruar kontroll të përgjithshëm dhe komandë në Shtabin e Likovcit dhe qendrën e ndalimit. 

Dëshmitari D ka deklaruar që Sami Lushtaku ka qenë “komandanti i përgjithshëm” i Shtabit të Likovcit.

Sabit Geci, që po vuan një dënim me 15 vjet burg, të shqiptuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës më 29 korrik 2011 për krime të luftës kundër popullatës civile të kryera gjatë prillit dhe qershorit 1999 në zonën  e Krumës dhe Hasit në Shqipëri, përveç për vrasjen e policit serb Bulatoviq, akuzohet edhe për cenim të integritetin trupor dhe shëndetit të dëshmitari C dhe B, duke i goditur me shkop bejsbolli përkatësisht me shkop polici.

Sahit Jashari i njohur në kohën e luftës me pseudonimin “Qopa”, akuzohet për tetë vepra të krimeve të luftës kundër popullatës civile. Ai ngarkohet për pjesëmarrje në vrasjen e Ivan Bulatoviqit dhe kryerje të cenimit të integritetit trupor dhe shëndetit të dëshmitarit C, Ivan Bulatoviqit, dëshmitarit F, dëshmitarit E, dëshmitarit I dhe dy civilëve të paidentifikuar [vajzë dhe babë].

Komandanti i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Avni Zabeli po akuzohet për katër vepra të ndryshme penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.

Për mbajtje në kushte çnjerëzore të të ndaluarve në Likovc, për cenim të integritetit dhe shëndetit trupor të Dëshmitarit F, për rrahje të tij dhe të një civili tjetër të panjohur nga Prizreni.

Fadil Demaku dhe vëllai i tij Nexhat Demaku, akuzohen për keqtrajtim në bashkëkryerje edhe me të tjerët të dëshmitarëve A dhe B, duke i detyruar ata që edhe të rrihen mes vete.

Me akuza të njëjta ngarkohen edhe Agim, Bashkim, Selman,  Driton Demaj, Zeqir Demaku, Isni Thaçi e Jahir Demaku. 

Zeqir Demaku e Isni Thaçi ngarkohen edhe për rrahje në një rast tjetër të Dëshmitarit A, njësoj si Jahir Demaku që përveç kësaj, akuzohet edhe për rrahje të një të ndaluari të panjohur nga Shipoli i Mitrovicës në Likovc.

Ismet Haxha një i pandehur tjetër akuzohet se ka shtënë me plumb pistolete, duke plagosur në këmbë Dëshmitarin F, derisa po udhëtonin në fshatin Vaganicë.

Aktakuza precizon që Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku kishin autoritet dhe kontroll vendimtar në shtabin e Likocit, ndërsa Sahit Jashari e Avni Zabeli konsiderohen persona që kanë mbikëqyrur dhe ushtruar kontroll menaxherial të qendrës së ndalimit, të të burgosurve dhe rojeve të burgut.