Zharko Veselinoviq Mbrohet Nga Ish-Kryeprokurori

Në datën 13 nëntor në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nisi seanca fillestare ndaj Zharko Veselinoviqit, të mbajturit në paraburgim që nga fundi i korrikut.

Zharko Veselinoviq, akuzohet për dy vepra penale: vrasje të mbetur në tentativë dhe  mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armëve të cilat dyshohet t’i ketë kryer në periudhat e ndryshme të vitit 2010.

Në fillim të seancës gjyqtari pasi konstatoi se janë plotësuar kushtet për fillimin e procesit gjyqësor, ia mori të dhënat të akuzuarit, ndërsa ftoi prokurorin ta lexojë propozimin akuzues.
 
Sipas prokurorit, i akuzuari veprat penale me të cilat ngarkohet, dyshohet se i ka kryer në periudha të ndryshme kohore.

Sulmi me armë ndaj zyrtarit kosovar ndodhi gjatë vitit të kaluar.

Në vitin 2010, Zharko Veselinoviq te vendi i quajtur “Kërrshi i Dudës” në komunën e Zveçanit dyshohet se ka penguar zyrtarët policorë, kur ata kanë ndalur dy maune me derivate.

Avokati i Zharkos, Faruk Korenica, i cili më parë kryente punën e kryeprokurorit në Prokurorinë Komunale të Mitrovicës,  thotë se në fillim kjo vepër penale nga prokurori është cilësuar si kundërvajtje, për t’u ndërruar më vonë në pengim të zyrtarëve policorë.

“Kur pjesëtarët e Njësisë Rosu të Policisë kanë ardhur me kontrollu kontrabandën dhe i kishin ndaluar dy maune me derivate, klienti im është afruar me motoçikletë ta shohë se për çfarë janë ndalur këto dy maune. Me këtë rast kemi deklarimin e policisë se i akuzuari ka ardhur me një shpejtësi të madhe dhe u ka rrezikuar jetën policisë”, shpjegoi avokati Korenica.

Në korrik të vitit 2013 Zharkos iu konfiskua një armë pa leje, teksa tentonte t’i ikte kontrollit policor të EULEX-it. Ai po akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Korenica kërkoi gjatë seancës ndryshimin e masës ndëshkuese për klientin e tij.

“Ne kemi dhënë kundërshtimin ndaj aktakuzës dhe propozuam të ndërpritet arresti dhe të zëvendësohet me një dënim tjetër”, tha ai.

Korenica akuzoi gjykatën edhe për mbajtje të paligjshme të klientit të tij në paraburgim.

“Më 29 nëntor është marrë një aktvendim ku është vazhdu paraburgimi edhe për dy muaj, mirëpo në aktvendimin e parë nuk është caktuar koha se kur do të skadojë ko masë. Dhe i pandehuri është mbajtur për disa orë në burg pa ndonjë vendim gjyqësor”, shtoi Korenica.