Gjykatësja Sanije Muqolli, duke u gjykuar për nxjerrje të paligjshme të vendimit gjyqësor

Sanije Muqolli, ish gjykatëse në Gjykatën Komunale të Prishtinës së bashku me katër persona të tjerë, janë duke u gjykuar në Gjykatën e Qarkut në Prizren për vepër penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autorizimeve zyrtare si dhe për nxjerrjen e paligjshme të vendimit gjyqësor. Para se dëgjimi të fillonte, Muqolli kërkoi nga gjykatësja e rastit të përjashtoj monitoruesin e BIRN-it nga seanca, sepse ajo donte që seanca të mos jetë publike. Muqolli ishte përmendur në njërën nga raportet televizive për këtë rast në emisionin televiziv Drejtësia në Kosovë. Gjykatësja refuzoi kërkesën, duke i treguar të dyshuarës se monitoruesi i BIRN-it ka akreditim të monitoroj seancat gjyqësore dhe se këto të fundit ishin publike. Njëri nga avokatët e të dyshuarve kontestoi kompetencën territoriale të Gjykatës në këtë rast, sepse aktiviteti i dyshuar kundërligjor kishte ndodhur në Prishtinë. Për më tutje, avokatët deklaruan se nuk kishin marrë disa materiale të rastit. Për shkak të kësaj, gjykata vendosi të shtyjë dëgjimin për një datë tjetër.