Emiratet Japin 22 Milionë Euro për një Spital Fëmijësh në Prishtinë

Presidentja Atifete Jahjaga në vizitën që po zhvillon në Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkroi sot me shkëlqesinë e tij Saeed Eid Al Ghafli, përfaqësuesin e sheikes Fatima bint Mubarak një marrëveshje për ndërtimin e një spitali të fëmijëve në Prishtinë.

Jahjaga sipas postimit është zotuar se klinika do ta mbajë emrin e shkëlqesisë së saj Fatima bint Mubarak, duke falënderuar mikpritësen për këtë ndihmë zemërgjerë, shumë të nevojshme për fëmijët në Kosovë.

“Klinika e re do të fillojë të ndërtohet gjatë verës së këtij viti dhe pritet që projekti i tërësishëm i spitalit të përfundojë brenda 1 viti. Projekti përfshin specializime në shërbime shëndetësore të të porsalindurve, ortopedi, neurologji, urologji, endokrinologji, kardiologji, onkologji, hematologji, dhe mjekësi emergjente,” thuhet në njoftimin e Jahjagës përmes rrjetit social.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e sëpitalit ishte edhe ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani dhe drejtoresha e Autoritetit Shëndetësor të Abu Dhabit, Maha Taysir Barakat.

Dje presidentja me autoritetet e Emirateve nënshkroi edhe një marrëveshje për bashkëpunim ekonomik.