Aksioni i Policise ne veri - 28.05.2019

Drejtori i Spitalit në Mitrovicë flet për gjendjen e policit të plagosur

Drejtori Mjekësor i Spitalit në Mitrovicën e Jugut, Zahir Musa, tha për KALLXO.com se gjendja e policit të plagosur gjatë aksionit të sotëm në pjesën veriore të Kosovës është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Musa tha se përveç policit të plagosur, në këtë spital ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe dy policë tjerë që kanë marrë lëndime gjatë protestës së serbëve që kanë kundërshtuar aksionin e arrestimeve të sotme në veri.

“Gjendja e policit për momentin është stabile. Një polic është i plagosur me plagë shpuese dhe është jashtë rrezikut. Për momentin është i shtrirë në repartin e kirurgjisë. Një tjetër polic është i lënduar në ije dhe një tjetër është i lënduar me një gërvishtje. Është bërë ekzaminimi dhe momentalisht gjendja është stabile”, tha Musa për Kallxo.

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës ka nisur mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës.

Deri më tani numri i të arrestuarve ka arritur në 10.

KALLXO.com nga vendi i ngjarjes ka siguruar pamje ku shihen njësi të shumta të Policisë së Kosovës.

Alarmi është ndezur në pjesën veriore pasi njësitë e Policisë kanë arritur në pjesën veriore.

Operacioni policor i nisur sot në orët e hershme të mëngjesit në pjesën veriore të Kosovës është shpërndarë edhe në jug të Mitrovicës.

KALLXO.com mëson se cak i këtij aksioni janë rrjetet e kontrabandës së mallrave nga Serbia për në Kosovë.

Janë realizuar disa bastisje në disa lokacione ndërsa aksioni është duke vazhduar.

Deri më tani, janë arrestuar 10 persona.