Pamje nga seanca fillestare në gjykimin e Xhavit Bicajt - Foto: KALLXO.com

Dënohet i Akuzuari për Konkursin në QKUK

I akuzuari për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e një konkursi në QKUK, Xhavit Bicaj është dënuar sot me një vit burg i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Bicaj akuzohej nga prokuroria Themelore në Prishtinë se duke qenë anëtar i Komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit të njësive përkatëse të QKUK-së, ua ka dërguar pyetjet me përgjigje të sakta dy prej kandidatëve, dr. Sonja Blakajt dhe dr. Ramë Miftarit.

Vepra e pretenduar sipas aktakuzës ka ndodhur më 31 korrik dhe 3 gusht 2014.

Gjatë procesit të gjykimit, Bicaj i kishte quajtur “të montuara” akuzat ndaj tij.

KALLXO.com e ka përcellë në vazhdimësi këtë proces gjyqësor.