Gjykata në Ferizaj

Dënohen ish-Zyrtarët e Kaçanikut

Gjykata Themelore në Ferizaj dënoi sot pesë ish-zyrtarët e Komunës së Kaçanikut të akuzuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Trupi gjykues i përbërë nga Musa Kongjeli kryetar dhe Bekim Salihu e Imer Sejda i shpalli fajtor ish-zyrtarët e Kaçanikut, duke i dënuar katër prej tyre me nga 6 muaj burg, e njërin me 3.

“Fatos Koxha  gjykohet me dënim burgu në kohëzgjatje prej 6 muajsh i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë se këtij aktgjykimi, i akuzuari Zekrija Koxha dënohet me dënim burgu në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i akuzuari  Vedat Dema po ashtu dënohet me 6 muaj burg, i akuzuari Betim Shala dënohet me 3 muaj burg dhe Bujar Dullovi dënohet me 6 muaj burg,” tha Kongjeli.

Fatos e Zekrija Koxha, Vedat Dema, Betim Shala dhe Bujar Dullovi akuzoheshin se si anëtarë të komisionit vlerësues për tenderin e rehabilitimit të gjelbërimit në Rrugën “Ismajl Reka” të Kaçanikut kanë falsifikuar dokumentet zyrtare duke shënuar të dhëna të pavërteta për operatorët ekonomikë që kanë ofertuar.

Sipas aktakuzës, edhe pse operatori ekonomik NNP “Area” ka pasur referencat për punët e kryera dhe vërtetimin për qarkullimin financiar, të akuzuarit kanë thënë se ky operator nuk i ka këto dokumente, ndërsa i kanë  rekomanduar zyrës së prokurimit miratimin e ofertës së operatorit ekonomik “NN ATC-Com” në vlerë prej 66.573 eurove në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Te akuzuarit pas mbajtjes së shumë seancave nuk e kishin pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohen.

Pjesë e aktakuzës ishte edhe ish-zyrtari i prokurimit Zeqir Selmani, por procedura ndaj tij ka pushuar pasi ai ka vdekur.

Të dënuarit u obliguan që në mënyrë solidare ta paguajnë ekspertizën e këtij gjykimi dhe paushallin e gjykatës në shumën secili nga 50 euro.