Akiv - Ilustrim - Seancë në OShP

OShP vonoi publikimin e vendimeve deri në 285 ditë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) vonoi deri 285 ditë punë publikimin e vendimeve të saj.

“Neni 117.2 i ligjit të prokurimit publik nr. 04/L-042 përcakton që: Vendimet e OSHP-së do të publikohet në ueb faqen e OSHP-së brenda pesë (5) ditëve në gjuhën origjinale të vendimit. Në 10 rastet e testuara të publikimit të vendimeve të paneleve shqyrtuese, ne vërejtëm vonesa në publikimin e këtyre vendimeve nga OSHP-ja në ueb faqen e saj. Vonesat ishin prej 1 deri i në 285 ditë pune’, thuhet në të gjeturën e raportit të auditorit.

Kreut të këtij institucioni iu rekomandua që vendimet publikohen brenda pesë ditëve.

“Kryetari duhet të sigurohet që të gjitha vendimet e OSHP-së bëhen publike në ëeb faqe brenda afatit ligjor prej pesë (5) ditëve”.

Një tjetë gjetje e Auditorit është mungesa e një afati brenda të cilit OSHP-ja duhet t’ia kthej depozitat Operatorëve Ekonomik. Në dy raste e testuara, Auditorit kishte identifikuar vonesa sa i përket kthimit të tarifës së sigurimit (depozitave) pas aprovimit të ankesës si e bazuar dhe kërkesës së palës për t’ia kthyer depozitën.

“Rasti i parë në vlerë 5,000€, kthimi i tarifës së sigurimit ishte bërë me vonesë prej 346 ditë pune pas kërkesës së OE; dhe Rasti i dytë në vlerë prej 2,459€, kthimi i tarifës së sigurimit ishte bërë me vonesë prej 457 ditë pune pas kërkesës së OE. Këto kishin ndodhur për arsye se në rregulloren e punës së OSHP-së nuk janë vendos afatet e kthimit të tarifës së sigurimit të ankesave për operatoret ekonomik nga data që OE kanë bërë kërkesë për kthimin e mjeteve”, thotë e gjetura e raportit të auditorit.

Auditori i rekomandoi që kryetari i OSHP-së duhet të sigurohet që në përputhje me kërkesa e LPP dhe rregullores së punës të OSHP-së të nxjerr një afat apo kohë të arsyeshme brenda së cilët duhet t’u kthen mjetet operatorëve ekonomik që kanë bërë kërkesë për kthim të mjeteve.

Auditori gjeti dobësi edhe në përzgjedhjen e ekspertëve të jashtëm profesional të prokurimit. Në konkursin e angazhimit të ekspertëve shqyrtues, OSHP-ja e kishte vendosur si kriter ‘certifikata themelore profesionale për prokurim e lëshuar nga KRPP – IKAP me vlefshmëri për vitet 2018-2020’.

Vetëm 5 nga 13 të pranurit e plotësonin këtë kriter. Madje, sipas vendimit për aprovimin e listës për ekspert, Auditori thotë se nuk është qartësuar mënyra se si është bërë vlerësimi i ekspertëve të përzgjedhur dhe pse nuk është respektuar kriteri i vendosur gjatë shpalljes së konkursit.

“Prej 13 eksperteve të përzgjedhur, nëntë (9) prej tyre nuk e kishin plotësuar këtë kriter pasi që vlefshmëria e certifikatave të tyre ishte 2017-2019. Vlen të theksohet që pesë (5) konkurrentë të cilët nuk ishin përzgjedhur e plotësonin kriterin e konkursit. Përzgjedhja e këtyre kandidateve është bërë me dt. 12.10.2018, e që tregon se certifikata e njërit kandidat do të ketë vlefshmëri vetëm dy muaj”, thuhet në raportin e Auditorit.

Raporti i auditimit ka evidentuar dobësi në procedimin e pagesës për blerje të mallit apo shërbimit.

“Në pagesën për “Servisim të fotokopjes “në vlerë prej 1,488€, identifikuam që mungonte kërkesa për kryerjen e këtij shërbimi. Për më tepër, servisimi ishte kryer në nëntor të vitit 2017 ndërsa pagesa ishte kryer në shkurt 2018”, thotë e gjetura e raportit.

raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2018-të për  OShP-në,  thuhet se ky institucion kishte një buxhet të realizuar prej 310 mijë e 987 euro. Në raport me vitin 2017-të, në vitin 2018-të buxheti OShP-së i realizuar është  iu është rritur rreth 6.5 për qind më shumë apo  18 mijë e 973 euro.

Pjesa më e madhe e këtij buxheti të realizuar është shpenzuar për paga dhe mëditje në vlerën e 196 mijë e 445 mijë euro, pastaj për mallra dhe shërbime 112 mijë e 113 euro dhe për shpenzime komunale vetëm 2 mijë e 429 euro.