Ilustrim

Auditori gjen shkelje në financimin e bizneseve nga Ministria e Inovacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka ndarë mjete për tri biznese Start Up edhe pse dy prej tyre ishin aktive nga viti 2004 dhe 2005.

Dy nga përfituesit ishin përzgjedhur nga thirrja për Start Up edhe pse nuk i plotësonin kriteret sepse aplikacionet e tyre kishin të bënin me thirrjen për subvencionim të NVM dhe OJQ. 

Vlera totale e këtyre subvencioneve ishte 28,747 euro.  

“Kjo kishte ndodhur si rezultat i pakujdesisë së komisionit vlerësues, gjatë procesit të vlerësimit”, thuhet në raport.

Bazuar në Udhëzimin Administrativ për ndarjen e mjeteve financiare nga kategoria subvencione dhe transfere, Start-Up-et përkufizohen si biznese fillestare të cilat përfshijnë ide inovative biznesore që kalojnë nga faza e inkubimit deri në aprovim si ide me potencial për efekte ekonomike. 

MIN, gjatë vitit 2018 kishte bërë një thirrje publike për Start Up, dy thirrje për OJQ si dhe thirrjen për NVM, megjithatë thirrja e parë për OJQ dhe thirrja për NVM ishin anuluar. 

Ministria aplikon kontrolle të dobëta në fushën e subvencioneve. Përkrahja financiare e bizneseve ekzistuese të cilat ushtrojnë veprimtarinë prej më shumë se një vit e deri në 15 vite, si përfitues të fondit Start Up, është në kundërshtim me kriteret dhe paraqet keqmenaxhim të fondeve, me efekt në mos arritjen e qëllimit për të cilin fondet janë planifikuar. 

“Ministri, si edhe në rekomandimin më lart, duhet të vendos kontrolle rigoroze në procesin e vlerësimit të aplikacioneve për financim të bizneseve Start Up, në mënyrë që përzgjedhja e përfituesve bëhet bazuar në objektivat e thirrjes për financim, në përputhje me udhëzimin administrativ përkatës të ministrisë”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është ministri e sapoformuar dhe ky është auditimi i parë që i është bërë nga ZKA. Në raportin e auditimit për vitin 2018, kjo ministri ka marrë 14 rekomandime, duke filluar nga pasqyrat financiare, subvencionet, investimet kapitale deri te planifikimi dhe realizimi i buxhetit. 

Dobësitë e vlerësimit të aplikacioneve për Start Up

Në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Auditori ka gjetur dobësi të tjera gjatë procesit të vlerësimit të aplikacioneve për bizneset Start Up.

Në një aplikacion të përzgjedhur si përfitues për Start Up, në aktivitetet e propozuara në buxhet, ishte blerja e një automjeti komercial (kamionit) në vlerë 8 mijë euro, edhe pse ky shpenzim ishte i papranueshëm për financim. 

Në 4 raste, Auditori ka vërejtur se deklarata që aplikuesi nuk ka pranuar mjete për të njëjtat aktivitete është ofruar pas shpalljes se rezultateve preliminare, ndërsa në 3 raste kjo deklaratë ka munguar, ndonëse ky dokument ka qenë obligativ të sigurohet gjatë aplikimit. 

Në tri raste, ku kishin aplikuar bizneset ekzistuese, ishin paraparë vetëm blerje të pajisjeve, dhe jo mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës. Këto mangësi, kishin ndodhur si pasojë e neglizhencës gjatë punës së kryer nga komisioni i vlerësimit. 

Bazuar në Udhëzimin Administrativ dhe thirrjen për aplikim, për t`u konsideruar si aplikacion i kompletuar dhe për të plotësuar kriteret e vlerësimit, aplikuesi duhet të siguroj deklaratë që nuk ka pranuar mjete për të njëjtat aktivitete, si shpenzime të papranueshme për financim, konsiderohen prokurimi i automjeteve komerciale si dhe të dëshmohet se mjetet e ndara të ndikojnë në hapjen e vendeve të reja të punës.  

Auditori ka potencuar se në rastet më sipër vërehet mungesë serioze e kontrolleve dhe mos përfillje e kritereve. Mangësitë e identifikuara më sipër, kanë rezultuar me ndarjen e fondeve jo në pajtim me kriteret, qëllimet dhe objektivat. Sipas Auditorit kjo rritë rrezikun për dëmtimin e buxhetit të ministrisë. 

“Ministri, duhet të merr masa të menjëhershme dhe të ndërpres praktikat e tilla, duke vendosur mekanizma efektiv të mbikëqyrjes ndaj procesit të vlerësimit për mbështetje financiare ndaj Start Up-ve dhe të siguroj se komisionet e vlerësimit kryejnë punën me përgjegjësi të lartë. Në rastet ku financimi ka qenë shpenzim i papranueshëm, sikurse blerja e automjetit komercial, mjetet e përfituara të kthehen në buxhetin e ministrisë”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.

Mos raportimi i përfituesve për subvencionet

Bazuar në marrëveshjet e lidhura mes Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe përfituesve të subvencioneve nga OJQ-të dhe bizneset (Start Up), përfituesit duhet të ofrojnë çdo tre-mujor një raport narrativ dhe financiar mbi zbatimin e aktiviteteve.  

Nga gjashtë raste të testuara për OJQ, Auditori ka gjetur se OJQ Egnatia, e subvencionuar me 15 mijë euro, nuk kishte raportuar për shpenzimet e realizuara në periudhën tre-mujore.

OJQ Nëna Terezë, e cila ishte subvencionuar në vlerë 198,560 euro, në raportin e shpenzimeve për vlerën 17,163 euro kishte arsyetuar vetëm pagat e personelit të angazhuar dhe shpenzimet operative (rrymë, naftë, internet). Ndërsa për shpenzimet e aktiviteteve lidhur me projektin, përkatësisht ngritjen e kapaciteteve përmes pjesëmarrjes së 100 personave në Qendrat për Aftësim Profesional, në vlerë 6,328 uro, nuk ka siguruar fatura/dëshmi për arsyetimin e mjeteve të shpenzuara. 

Nga 10 raste të testuara për përfituesit e mbështetjes nga Start Up, Auditori ka vërejtur se tre prej tyre nuk kishin sjellur të gjitha dëshmitë/faturat lidhur me shpenzimin e mjeteve, apo në përputhje me aktivitetet e planifikuara në propozim buxhetet. 

Sipas Auditorit, mos raportimi i mjeteve të shpenzuara, mungesa e faturave dhe sigurimi i faturave që nuk dëshmojnë se mjetet janë shpenzuar në përputhje me qëllimin e dhënë, mund të rezultojë me devijime nga qëllimet e përfitimit të mjeteve dhe keqpërdorime. 

“Ministri, të siguroj ndërmarrjen e masave shtesë ndaj monitorimit të përfituesve nga OJQ-të dhe Start Up-et, për sigurimin e dëshmive të vlefshme lidhur me shfrytëzimin e mjeteve, në përputhje me qëllimin e dhënë. Nëse këto nuk arsyetohen brenda periudhës së definuar në kontratë, të merren masa ndëshkuese ndaj këtyre përfituesve”, theksohet në rekomandimin e Auditorit.