Komuna e Kamenicës. Foto: Kallxo.com

Shumëfishimi i investimeve kapitale në Kamenicë

Komuna e Kamenicës ka qenë njëra ndër komunat me më së paku investime kapitale në Kosovë. Në vitin 2017, investimet e realizuara ishin vetëm 241 mijë euro ndërsa në vitin 2018 këto investime kanë arritur në 867,614 euro.

Edhe pse investimet kapitale janë rritur në krahasim me vitin e fundit, ato nuk janë realizuar në nivelin që kanë të të planifikuara. Buxheti i planifikuar për investime kapitale ka qenë 1,349,871 euro përderisa në vitin 2018 janë 867,614 euro apo 64.3 % e buxhetit është shpenzuar.

Në vitin 2018, Komuna e Kamenicës ka marrë 9 rekomandime. Numri i rekomandimeve është zvogëluar në krahasim me katër vitet e kaluara. Në vitin 2016 dhe 2017, Komuna e Kamenicës kishte marrë nga 13 rekomandime.

Në pesë vitet e fundit, Komuna e Kamenicës më së shumti rekomandime ka marrë në vitin 2014, gjithsej 18.

Komuna e Kamenicës ka adresuar një numër të vogël të rekomandimeve. Prej 60 rekomandimeve janë adresuar vetëm 13 rekomandime. Nga 18 rekomandimet e vitit 2014, 5 janë adresuar plotësisht, 9 pjesërisht dhe 4 nuk janë adresuar në vitin 2015.

Edhe në vitin 2016 dominojnë rekomandimet e pa adresuara. Nga 16 në total, 7 nuk janë adresuar, 3 janë adresuar dhe 6 kanë qenë në proces të adresimit. Në vitin 2017 është adresuar vetëm 1 rekomandim nga Komuna e Kamenicës, 4 kanë mbetur të pa adresuara dhe 8 pjesërisht.

Kurse, nga 13 rekomandimet e bartura nga viti 2015 në vitin 2017, përsëri ka pasur përqindje të dobët të adresimit nga Komuna e Kamenicës. Vetëm 1 rekomandim është adresuar, 8 kanë qenë në proces dhe 4 rekomandime nuk janë adresuar.

Në raportin e vitit 2018, sa i përket rekomandimeve të vitit 2017 thuhet se 4 rekomandime janë adresuar, 3 prej tyre nuk janë adresuar, 1 rekomandim është në proces të zbatimit dhe 2 janë mbyllur.

Në lidhje me zbatueshmërinë e 9 rekomandimeve të vitit 2018 mund ta shohim në raportin e vitit 2019, i cili do të publikohet në muajin maj të këtij viti.

Theksimi i çështjes nuk i ndahet Komunës së Kamenicës

Njëjtë si në periudhën katër vjeçare 2014 deri në 2017, edhe në vitin 2018, Komuna e Kamenicës ka marrë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes.

Me auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore (PFV), përgjatë periudhës katër vjeçare 2014 deri 2017, Auditori i Përgjithshëm kishte dal me opinion të pa modifikuar po me theksim të çështjes. Sipas Auditorit, Komuna në këto vite ka pasur probleme me mos-regjistrim të pasurive, nënvlerësimin e pasurive komunale, shpalosjen jo të drejtë e detyrimeve kontingjente në pasqyra financiare.

Sipas Auditorit, Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2018 paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale.

“Duhet ta përmendim faktin se vlera investimeve kapitale është e mbivlerësuar për vlerën e avansit prej 296,526 euro të dhënë ndaj CDI-së, bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit me Nr.3619; dhe Pasuritë kapitale janë mbivlerësuar edhe për vlerën prej 29,668 euro”, thuhet në theksimin e çështjes në raportin e auditimit të vitit 2018.

Auditori jep opinion të pamodifikuar nëse arrin në përfundimin se pasqyrat financiare janë përgatitur, në të gjitha aspektet materiale, në pajtim me kornizën e zbatueshme financiare.

Nëse auditori e konsideron të nevojshme për të tërhequr vëmendjen në një çështje të shpalosur në pasqyrat financiare, e cila është e rëndësishme që ata të kuptojnë pasqyrat financiare, por ka prova të mjaftueshme e të përshtatshme se çështja nuk përmban keq deklarime materiale në pasqyrat financiare, auditori duhet të përfshijë një paragrafi të Theksimit të Çështjes në raportin e tij.

Rritja e investimeve kapitale

Investimet kapitale në Komunën e Kamenicës në vitin 2018 gati janë katërfishuar në krahasim me vitin 2017. Përderisa në vitin 2017, investimet e realizuara ishin vetëm 241 mijë euro, në vitin 2018, këto investime kanë arritur në 867,614 euro.

Pavarësisht rritjes së buxhetit për shpenzime kapitale gjatë vitit nga vlera prej 898,897 euro në vlerën finale të buxhetit prej 1,349,871 euro, vetëm 64.3% e buxhetit ishte shpenzuar.

“Krahasuar me vitin paraprak nuk ka ndryshime të theksuara në realizimin e buxhetit në këtë kategori, ku rritja e realizimit krahasuar me vitin paraprak është vetëm 1%”, thuhet në raportin e auditimit të vitit 2018.

Programi për investime kapitale në vitin 2018 përfshin disa projekte në vazhdim nga viti i kaluar dhe projekte të reja për vitin aktual.

Komuna e Kamenicës ka qenë njëra prej komunave me nivelin më të ulët të investimeve kapitale të realizuara. Nëse krahasohen investimet kapitale të realizuar në vitin 2013 dhe 2017, ka pasur një rënie drastrike të investimeve, për shkak të rënieve vit pas viti. Në vitin 2013, investimet e realizuara ishin në nivel prej 1 milionë e 272 mijë euro. Kurse, në vitin 2017, investimet kapitale të realizuara ishin vetëm 241 mijë euro.

Përsëritja e problemit me kontrata mbi vepër

Në Komunën e Kamenicës ka pasur vazhdimisht probleme me kontratat për shërbime të veçanta. Në tri vite, 2014, 2015 dhe 2017, në Komunën e Kamenicës janë punësuar 58 punonjës me kontrata mbi vepër. I njëjti problem është përsëritur edhe në vitin 2018. Dallimi me vitet e kaluara është se sipas Auditorit ky numër i punëtorëve me kontrata mbi vepër ka rënë.

Sipas Auditorit gjatë vitit 2018, në Komunë ka pasur të punësuar për shërbime të veçanta për të cilët kohëzgjatja e tyre në punë nuk ishte në përputhje me legjislacionin, ku katër prej tyre kohëzgjatjen në punë e kishin më shumë se 6 muaj.

“Kryetari duhet të siguroj se marrëveshjet për shërbime të veçanta lidhen pas zhvillimit të procedurave të thjeshtësuara të rekrutimit, përmes konkursit publik, duke respektuar të gjitha kërkesat ligjore lidhur me të punësuarit të rregullt dhe për të punësuar për shërbime të veçanta”, thuhet në raportin e vitit 2018.

Në vitin 2014 ishin angazhuar 21 punonjës, në vitin 2015 janë angazhuar 15 punonjës. Kurse, në vitin 2017, ishin angazhuar 22 punonjës me kontrata për shërbime të veçanta. Ndërsa, vetëm në vitin 2014 dhe 2015 janë shpenzuar mbi 100 mijë euro për pagesën e këtyre punonjësve.

Në vitin 2014, 21 punonjës janë angazhuar me kontratat për shërbime të veçanta, të cilat janë lidhur për pozita të zakonshme e jo për ekspertë të fushave përkatëse. Në vitin 2015, janë ripërtërirë nëntë kontrata që nga viti 2014.

Kontraktimi i punëtorëve përmes kontratave për shërbime të veçanta kishte vazhduar edhe në vitin pasues. Gjatë vitit 2017, në Komunë ishin angazhuar gjithsej 22 punonjës përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta. Ndonëse sipas ligjit për shërbimin civil, neni 12, për emërime të tilla, zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit, Komuna nuk kishte zbatuar procedura të tilla me rastin e përzgjedhjes së këtyre punonjësve. Gjithashtu, marrëveshjet për shërbime të veçanta kishin të bëjnë me pozita të rregullta dhe jo për punë me kërkesa specifike.

Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës.

Problemi i vazhdueshëm me qiradhënien e pronave komunale

Njëjtë si në katër vitet paraprake edhe në vitin 2018 ka vazhduar problemi me qiradhënien e pronave komunale.

Sipas Auditorit, vazhdimi i kontratave ndaj qiramarrësve pa i kryer obligimet paraprake rritë rrezikun e mos inkasimit te të hyrave, si dhe mungesa e monitorimit ndaj shfrytëzuesve te hapësirave publike rritë rrezikun që komuna të ketë humbje financiare.

Në raportin e auditimit thuhet se mos mbajtja e evidencës me informata të plota bën që menaxhmenti të mos ketë informata për vlefshmërinë e kontratave dhe obligimet e qiramarrësve.

“Kryetari duhet të sigurojë se është bërë një rishikim i dosjeve të qiramarrësve, kryesisht me qiramarrësit me të cilëve ju kanë vazhduar kontratat pa i kryer obligimet paraprake, dhe të vendos masat e duhura që brenda një periudhë të arsyeshme të inkasoj të gjitha obligimet e prapambetura dhe të inicioj proces të rivlerësimit të llogarive të arkëtueshme, ku të gjitha llogarite do të analizohen në kuptimin e vjetërsisë, shumave domethënëse dhe mundësive reale për inkasimin e tyre”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për vitin 2018.

Nga viti 2014 deri në vitin 2017, Auditori i ka dhënë Komunës së Kamenicës 7 rekomandime në lidhje me të hyrat. Problemi që është përsëritur ndër vite është dobësia në qiradhënie e pronave komunale.

Përkundër rekomandimit në vitin 2014 për përmirësim të menaxhimit të procesit të qiradhënieve, dobësitë kanë vazhduar edhe në vitin 2015.

Edhe përkundër rekomandimeve të Auditorit në dy vitet paraprake, Komuna e Kamenicës edhe në vitin 2016 e ka përsëritur problemin me të hyrat nga qiraja. Në vitin 2016, Auditori ka evidentuar gjithashtu se Komuna e Kamenicës ka arritur të bëjë verifikimin e 272 pronave apo vetëm 2 për qind prej 15,886 të pronave ekzistuese.

Problemi me verifikimin e pronave është evidentuar nga Auditori edhe në vitin 2017. Përderisa në vitin 2016, Komuna e Kamenicës kishte verifikuar vetëm 2 për qind të pronave në vitin 2017 ka arritur të verifikojë 4 për qind të pronave.

Eliminimi i problemeve në prokurim

Përderisa në katër vitet e fundit, 2014, 2015, 2016 dhe 2017, problemet më të shumta në Komunën e Kamenicës kanë qenë në fushën e prokurimit, në vitin 2018 ky problem është eliminuar. Në raportin e vitit 2018, Komuna e Kamenicës nuk ka marrë asnjë rekomandim në fushën e prokurimit.

Në katër vitet e kaluara Komuna e Kamenicës ka marrë gjithsej 7 rekomandime sa i përket dobësive sistematike dhe jo sistematike në prokurim. Parregullsitë kanë filluar që nga shmangia e procedurave të prokurimit, dobësitë në procesin e prokurimit, shpërblimi i operatorëve të papërgjegjshëm etj.

Në vitin 2017, Auditori ka gjetur se në dy projekte si, “Asfaltime të parkingjeve dhe trotuareve” dhe “Ujësjellësi Kopernice, Kololeq dhe Shipashnicë”, punimet ishin realizuar në mungesë të lejes ndërtimore dhe mbikëqyrjes inspektive.

Në vitin 2016, gjatë ekzaminimit të tenderëve është vërejtur se në katër raste kontratat ishin nënshkruar pa e përcaktuar kohëzgjatjen e kontratës të shprehur në ditë kalendarike, por vetëm duke iu referuar planit dinamik në ditë pune tek pjesa e kushteve të veçanta të kontratës.

Po ashtu është gjetur se në disa raste Komuna e Kamenicës ka bërë shpenzime nga kategoria jo adekuate.

Në vitin 2015, Auditori ka identifikuar se në dy raste Komuna ka shpërblyer me kontratë, operatorë ekonomik të pa përgjegjshëm.

Në vitin 2014 është vërejtur dukuria e shmangies së procedurave të hapura të prokurimit. Komuna ka planifikuar gjithsej 52 procedura me vlerë të mesme dhe të vogla. Gjithashtu, 31 procedura me vlerë minimale. Kurse, 10 procedura me vlera të vogla nuk ishin përfshirë në raportin e planifikimit të prokurimit.

Mos zbatimi i rekomandimeve të auditimit të brendshëm

Edhe në vitin 2018, Auditori ka gjetur se Komuna e Kamenicës nuk i ka zbatuar në nivel të lartë rekomandimet e dhëna nga Njësia për Auditim të Brendshëm.

Nga 18 rekomandime të dhëna nga NJAB, 13 prej tyre ishin zbatuar dhe 5 prej tyre ishin në proces të zbatimit të cilat kanë të bëjnë kryesisht me regjistrimin e pronave dhe objekteve kapitale, inventarizimin e tyre, si dhe me funksionimin e kontrollit të brendshëm.

“Kryetari të siguroj se plani i NjAB-së të zbatojë një qasje ndaj fushave me rrezik duke ndihmuar aktivitetet operative në vazhdim, si dhe një fokus më të lartë të menaxhmentit në adresimin e rekomandimeve, në mënyrë që përfitimet nga auditimi i brendshëm të jenë sa më të larta”, thuhet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2018.

Në raportin e auditimit të vitit 2018 thuhet se Njësia e Auditimit të Brendshëm në Komunën e Kamenicës operon me dy anëtarë të stafit – drejtori i NjAB-së dhe një auditor.

Në vitin 2014 në Komunën e Kamenicës ka pasur mangësi në sistemin e auditimit të brendshëm, ndërsa në vitin 2016 dhe 2017 është evidentuar një numër i vogël i rekomandimeve të zbatuara. Njësia e Auditorit të Brendshëm ishte injoruar nga drejtoritë komunale.

Në vitin 2015 nuk ka pasur rekomandime sa i përket auditorit të brendshëm ndërsa në vitin 2016 është theksuar ngecja në zbatimin e rekomandimeve nga Komuna e Kamenicës.