Dy ministritë e reja ende nuk kanë auditor të brendshëm

Dy ministri të reja nga Qeveria në largim e Kosovës kanë funksionuar pa njësi të auditimit të brendshëm. Ministria e Zhvillimit Rajonal, e themeluar në fund të vitit 2017 ende nuk e ka formuar Njësinë e Auditimit të Brendshëm (NjAB), përderisa ka bërë të ditur se ka arritur të sigurojë përkrahjen për Auditimin e Brendshëm nga Ministria e Financave, por që më pas zhvillimet politike kanë bërë që procesi i rekrutimit të pezullohet.

Pa njësi të Auditimit të Brendshëm (NjAB) është edhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Por, ky dikaster thekson se  pas përfundimit të procedurave të konkursit të brendshëm dhe mos plotësimit të pozitës, por që pas kërkesës nga Ministria e Administratës Publike (MAP), të gjitha konkurset janë pezulluar në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, pas rënies së qeverisë.

Kurse, institucionet që janë themeluar prej kohësh kanë pasur njësi të auditimit të brenshëm, mirëpo nuk i kanë zbaruar të gjitha rekomandimet e dhëna nga kjo njësi.

Zbatim i pjesshëm i rekomandimeve të NJAB ishte konstatuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e viti 2018 për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Nga gjithsej 17 rekomandime të dhëna nga auditori i brendshëm, vetëm shtatë ishin zbatuar, shtatë ishin në proces të zbatimit dhe tri nuk ishin zbatuar fare.

Edhe Komuna e Prishtinës është përballur me sfida në funksionimin e auditimit të brendshëm, kjo pasi që gjatë ishin planifikuar të kryhen gjashtë auditime, mirëpo gjatë kësaj kohe ishte finalizuar vetëm një raport e që kishte të bënte me menaxhimin e pasurisë në komunë. Pesë auditime të tjera që ishin planifikuar nuk janë finalizuar.

Ndërkaq, sa i përket raportit të fundit për Postën e Kosovës, Auditori ka vlerësuar  se raportet e NJAB-së janë cilësore dhe janë dhënë rekomandime konkrete për përmirësim të mëtutjeshëm.

Megjithatë, sipas kësaj zyre, auditimet e finalizuara nuk kishin mbuluar aktivitetet e vitit aktual, por në përgjithësi ishin fokusuar në aktivitetet e vitit 2017.

Për më tej, theksohet se njësia e auditimit të brendshëm ka realizuar shumicën e auditimeve të cilat i kishte planifikuar, mirëpo kjo njësi nuk ka realizuar planin në tërësi.

Ministria e Zhvillimit Rajonal mbetet pa njësi të auditimit të brendshëm

Ministria e Zhvillimit Rajonal, dikaster ky që është themeluar në fund të vitit 2017 ende nuk e ka formuar Njësinë e Auditimit të Brendshëm (NjAB).

Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin për vitin 2018, për MZHR-në thekson se megjithatë kjo ministri kishte marrë veprime duke iu drejtuar Ministrisë së Financave, me kërkesën për mbështetje në fushën e auditimit të brendshëm për vitin 2018.

“Sa i përket vitit 2018, nuk kishte marrë përgjigje nga Ministria e Financave, përkatësisht departamenti i auditimit të brendshëm, lidhur me ofrimin e shërbimit për kryerjen auditimit të brendshëm në ministri”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit0.

Bazuar në Udhëzimin Administrativ nr. 23/2009 për themelimin dhe funksionimin e njësive të auditimit të brendshëm në sektorin publik, neni 3, përcakton që menaxhmenti i lartë i subjektit të sektorit publik, themelon NjAB nëse e plotëson e ndonjërit prej tri kritereve: buxheti vjetor mbi 1 milion euro; mbi 50 të punësuar me orar të plotë; dhe në raste të veçanta për shkak të shkallës së lartë të rrezikshmërisë dhe me pëlqimin e institucioneve përgjegjëse.

Sipas ZKA-së, MZhR-ja megjithëse plotësonte kriterin e parë, duke qenë se buxheti vjetor për vitin 2018 ishte mbi 4 milionë euro, nuk kishte arritur të themeloj NjAB-në.

“Kjo për shkak se dy zyrtarë brenda ministrisë, të cilët kishin ndjekur trajnimet në fushën e auditimit të brendshëm, nuk kishin arritur të certifikohen”, thuhet më tej në raport.

Por kjo ministri në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë, thotë se ka arritur të sigurojë përkrahjen për Auditimin e Brendshëm nga Ministria e Financave e cila për momentin është duke realizuar auditimin e MZhR-së.

“Në lidhje me themelimin e njësisë së auditimit të brendshëm , MZHR ka dërguar një zyrtar për certifikim, i cili tashmë ka përfunduar trajnimin dhe pritet së shpejti të certifikohet, dhe pas certifikimit të zyrtarit/es do të konsolidohet Njësia e Auditimit të Brendshëm”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com.

Sipas këtij dikasteri, procesi i rekrutimit momentalisht është i pezulluar për të gjitha pozitat bazuar në rekomandimet e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Ministrisë së Administratës Publike.

Në anën tjetër, ZKA vlerëson se mungesa e auditorit të brendshëm, ndikon në mos identifikimin e dobësive të mundshme dhe mos ofrimin e sigurisë ndaj menaxhmentit lidhur me funksionimin dhe efektivitetin e kontrolleve të brendshme.

Ministria e re, përtërin problemet e ministrive të vjetra

Ngecjet e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

Pa njësi të Auditimit të Brendshëm (NjAB) është edhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018 thekson se kjo ministri nuk e ka formuar Njësinë e Auditimit të Brendshëm.

Megjithatë, sipas tyre MIN kishte marr veprime duke iu drejtuar Ministrisë së Financave, me kërkesën për mbështetje në fushën e auditimit të brendshëm për vitin 2018 apo përmes lidhjes së ndonjë marrëveshje mirëkuptimi me ndonjë institucion tjetër.

Sa i përket vitit 2018, nuk kishte marrë përgjigje nga Ministria e Financave, përkatësisht departamenti i auditimit të brendshëm, lidhur me ofrimin e shërbimit për kryerjen auditimit të brendshëm në ministri, dhe as nga ndonjë organizatë tjetër.

Ndërkaq, në një përgjigje për Gazetën JnK, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë thotë se kanë bërë përpjekje për themelimin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm.

“Pas përfundimit të procedurave të konkursit të brendshëm dhe mos plotësimit të pozitës, kemi hapur konkurs të jashtëm për Auditor të Brendshëm, para hyrjes në fuqi të LIGJI NR. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë, ku 8 kandidatët të cilët kanë konkurruar dhe janë kualifikuar në konkursin e hapur më 2 shtator deri më 16 shtator 2019, i janë nënshtruar testimit me shkrim”, thuhet në përgjigjen e Lulzim Ahmeti, udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun.

Por, sipas tij pas kërkesës nga Ministria e Administratës Publike (MAP), të gjitha konkurset janë pezulluar në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, po ashtu edhe konkursi për pozitën Auditor i Brendshëm.

“Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, gjatë këtij vitit nuk ka kërkuar përkrahje për kryerjen auditimit të brendshëm nga Ministria e Financave, por më 2018 kemi kërkuar nga kjo ministri përkrahje, por që nuk kemi marrë përgjigje pozitive”, thuhet në përgjigjen e tyre për Gazetën JnK.

Ndërkaq, ZKA thekson se MIN megjithëse plotësonte kriterin e parë, duke qenë se buxheti vjetor për vitin 2018 ishte mbi 9 milionë euro, nuk kishte arritur të themeloj NjAB.

“Kjo kishte ndodhur për shkak se ministria nuk kishte shpallur konkurs të rregullt për plotësimin e pozitës së auditorit të brendshëm. Mungesa e auditorit të brendshëm, ndikon në mos identifikimin e dobësive të mundshme dhe mos ofrimin e sigurisë ndaj menaxhmentit lidhur me funksionimin dhe efektivitetin e kontrolleve të brendshme”, thuhet në raportin për vitin 2018.

Telashet e Ministrisë së Diasporës me zbatimin e rekomandimeve

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike që në dy vitet e fundit ishte udhëhequr nga Dardan Gashi nuk i kishte zbatuar rekomandimet e Njësisë së Auditorit të Brendshëm.

Nga gjithsej 17 rekomandime të dhëna nga auditori i brendshëm, vetëm shtatë ishin zbatuar, shtatë ishin në proces të zbatimit dhe tri nuk ishin zbatuar fare.

“Këtë e vërteton edhe raporti vjetor që NjAB e kishte dërguar në Njësinë Qendrore Harmonizuese tek Ministria e Financave. Shkaku i mos zbatimit të plotë të rekomandimeve ishte angazhimi jo i mjaftueshëm i stafit përgjegjës”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare për ministrin e Diasporës për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2018.

Kurse, në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë, kjo ministri bën të ditur se gjatë periudhës janar-qershor 2019, NJAB në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të veta, ka bërë monitorimin dhe raportimin e rregullt të zbatimit të rekomandimeve të dhëna.

Sipas Ligjit për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, Zyrtari Kryesor Administrativ, ndër të tjera, duhet të ndërmerr veprime për përmirësimin e sistemeve në pajtim me rekomandimet e auditimit të brendshëm.

Po ashtu, sipas rregullave për Funksionimin e Komitetit të Auditimit për Sektorin Publik, theksohet se komiteti i auditimit duhet të mbajë takime së paku katër herë në vit.

“Sipas raportit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, në këtë proces ka përmirësime të dukshme dhe, rrjedhimisht, është zbatuar edhe rekomandimi i dhënë nga ZKA. Nga gjithsej 17 rekomandime të dhëna për vitin 2018, 14 rekomandime janë zbatuar plotësisht, dy janë në proces dhe vetëm një rekomandim (që ka qenë edhe e gjetur nga ZKA), që ndërlidhet me arsyetimin e avanseve, nuk është zbatuar”, thuhet në përgjigjen e Qëndresa Fazliu nga Divizioni për Komunikimin me Publikun në këtë ministri.

Fazliu më tej ka theksuar se për disa rekomandime të dhëna, qoftë nga NJAB-i apo ZKA-ja,  duhet kohë më e gjatë për implementimin e tyre, meqenëse kërkojnë ridizajnim të sistemeve të kontrollit.

“Andaj edhe te rekomandimet e NJAB-it mund të shihet se rekomandimet ‘në proces të zbatimit’ nënkuptojnë që janë ndërmarrë veprime apo janë në proces të zbatimit të plotë të tyre, domethënë nuk merren si rekomandime të pazbatuara”, ka thënë ajo për Gazetën JnK.

Në anën tjetër, sipas Auditorit, adresimi i dobët i rekomandimeve të NjAB rritë rrezikun e përsëritjes së mangësive të evidentuara nga NjAB, operimin jo efektiv të sistemeve të kontrollit të brendshëm në parandalimin të mangësive eventuale.

Njësia e Auditimit të Brendshëm (NjAB) në këtë dikaster, sipas ZKA-së, operon me një auditor, i cili njëkohësisht është edhe drejtor i NjAB.

“Për të kryer një auditim efektiv nevojitet një program gjithëpërfshirës i punës që reflekton rreziqet financiare dhe të tjera të Ministrisë dhe ofron siguri të mjaftueshme mbi efektivitetin e kontrollit të brendshëm”, vijon raporti i ZKA-së për këtë minsitri.

NjAB në Planin Vjetor të Auditimit për vitin 2018, kishte planifikuar katër auditime të rregullta ku të gjitha ishin me rrezik të lartë, kurse plani vjetor ishte bërë në bazë të vlerësimit të rreziqeve dhe prioriteteve.

“Të gjitha auditimet e planifikuara ishin realizuar. Ato kanë mbuluar aktivitetet e vitit 2017 dhe 2018 në fushat si në vijim: (a) rishikimi i buxhetit dhe shpenzimeve në MDIS, (b) menaxhimi i automjeteve dhe sistemi i kontrollit të pasurive jo financiare, (c) menaxhimi i burimeve njerëzore, dhe (d) auditimi i procedurave të prokurimit. Raportet e auditimit ishin cilësore dhe të dëshmuara në mënyrë adekuate, përmbanin mangësitë e identifikuara në sistemet e kontrollit të brendshëm dhe rekomandimet për përmirësimin e çështjeve”, thekson Auditori.

Komiteti i Auditimit, i cili kishte mandat deri më 27.07.2018, kishte mbajtur tri takime ku janë shqyrtuar gjetjet dhe rekomandimet e NjAB-së, dhe ishte diskutuar raporti i ZKA.

Mirëpo, sipas ZKA-së, pas kësaj periudhe, kishte mungesë të Komitetit të Auditimit deri me datën 13.03.2019, kur është themeluar i riu.

Në anën tjetër, raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike për vitin 2017, thekson se MDIS me datë 19.07.2017 ka themeluar Njësinë e Auditimit të Brendshëm (NjAB) konform udhëzimit administrativ nr 23/2009 për themelimin dhe funksionimin e njësive të auditimit të brendshëm në sektorin publik.

Vlerësimi i Auditorit  është se edhe pse kjo njësi ishte themeluar në gjysmën e dytë të këtij vitit, dy raportet e përfunduara ishin cilësore dhe menaxhmentit i kishin ofruar pasqyrë të qartë mbi mënyrën e operimit të kontrolleve të brendshme në fushat e audituara, si dhe janë dhënë rekomandime konkrete për përmirësim të mëtutjeshëm.

“MDIS poashtu ka themeluar edhe komitetin e auditimit (KA), i cili për një kohë të shkurtër kishte mbajtur tri takime. Në këto takime është diskutuar kryesisht për planin strategjik dhe atë vjetor të cilat edhe ishin miratuar nga KA”, thuhet në raport.

Sfidat në funksionimin e auditimit të brendshëm në Komunën e Prishtinës

Komuna e Prishtinës është përballur me sfida në funksionimin e auditimit të brendshëm.

Kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e vitit 2018, për komunën në fjalë.

Sipas planit vjetor të Njësisë së Auditimit të Brendshëm (NJAB) ishin planifikuar të kryhen gjashtë auditime.

Por Auditorit bën të ditur se NJAB, për vitin 2018 kishte finalizuar vetëm një raport e që kishte të bënte me Menaxhimin e pasurisë në komunë.

“Kjo vjen si rezultat i menaxhimit jo të mirë të planit të auditimit nga NJAB. Po ashtu komiteti i Auditimit i krijuar për herë të parë nuk kishte arritur ende të ndërmarrë ndonjë veprim. Shkak i mosfunksionimit të kësaj njësie sipas planifikimit është sepse ka pasur sfida në udhëheqësin e kësaj Njësie”, thuhet në raportin e Auditorit të Jashtëm.

ZKA paralajmëron se ky rezultat tregon jo gatishmëri në njohjen dhe maksimizimin e përfitimit të auditimit të brendshëm ose për të kërkuar siguri për funksionimin efektiv të kontrolleve të brendshme.

Lidhur me këto çështje, gazeta ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës, por nuk ka marr përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Njësia e Auditimit të Brendshëm (NjAB) në këtë komunë operon me katër anëtarë të stafit – Drejtori i NjAB-së (aktualisht UD) dhe tre auditor.

Ndërkaq, në raportin për vitin 2017 në Komunën e Prishtinës është evidentuar nivel i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak dhe viti i mëhershëm.

Mungesa e një monitorimi formal për mënyrën e zbatimit të rekomandimeve të AP-së, sipas Auditorit, ka ndikuar që vetëm një numër i vogël i rekomandimeve të zbatohen plotësisht, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë në proces të zbatimit ose të pa zbatuara, përfshirë këtu edhe rekomandimet nga vitet e mëhershme.

Sipas tyre, komuna nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar mënyrën e zbatimit të rekomandimeve të AP-së.

Rekomandimet e pa zbatuara, e të cilat po përsëriten në vazhdimësi kanë të bëjnë me: nivelin e ulët të ekzekutimit të buxhetit, keq-klasifikimin e shpenzimeve, regjistrat e pasurive jo të plotë, mungesa e regjistrit të rreziqeve, performanca e dobët e NjAB-së, mos kryerja e obligimeve nga shfrytëzuesit e banesave të komunës (qiramarrësit), raportimi jo i plotë i obligimeve, si dhe mos verifikimi i 1/3-tës se pronave komunale.

Auditori tutje thekson se dobësitë e vazhdueshme të kontrolleve të menaxhmentit dhe kontrolleve tjera në sistemet financiare kyçe financiare kanë rezultuar në: parregullsi në ekzekutimin e pagesave dhe klasifikimin e shpenzimeve; mosfunksionim i NJAB-së; dhe dobësi në menaxhimin e të hyrave dhe borxhet.

Ndër të tjerash, në raportin për vitin 2017, thuhet se ekzistojnë një numër dobësish në lidhje me operacionet aktuale të NjAB-së.

“Përkundër rekomandimit të dhënë dhe zotimit të menaxhmentit për funksionalizimin e NjAB-së, kjo njësi pothuajse është jo funksionale edhe gjatë vitit 2017”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, ata gjatë gjithë vitit kishin finalizuar vetëm një raport të auditimit lidhur me procesin e menaxhimit te të hyrave në “Bibliotekën Hivzi Sylejmani”, si dhe tri auditime ishin në proces, të cilat kishin filluar me kërkesë të menaxhmentit.

Auditimet në proces kishin të njëjtin fokus dhe kishin të bënin me “Teatrin Dodona”, “Arkivin Komunal” dhe në “Qendrën Kulturore të Fëmijëve të Komunës së Prishtinës”.

Gjithashtu, auditori thekson se NjAB, nuk kishte përpiluar statutin për NjAB-në, si dhe Plani strategjik dhe Plani vjetor i punës ishin përgatitur por nuk ishin aprovuar dhe nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Administrativ.

Këto rezultate, sipas ZKA-së tregojnë për mungesë të gatishmëri në njohjen dhe maksimizimin e përfitimit të auditimit të brendshëm ose për të kërkuar siguri për funksionimin efektiv të kontrolleve të brendshme.

Mos-zbatimi i rekomandimeve konkrete të auditorit nga Posta e Kosovës

Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) në gjetjet për vitin 2018, për Postën e Kosovës ka vlerësuar  se raportet e NJAB-së janë cilësore dhe janë dhënë rekomandime konkrete për përmirësim të mëtutjeshëm.

Megjithatë, sipas kësaj zyre, auditimet e finalizuara nuk kishin mbuluar aktivitetet e vitit aktual, por në përgjithësi ishin fokusuar në aktivitetet e vitit 2017.

Për më tej, theksohet se njësia e auditimit të brendshëm ka realizuar shumicën e auditimeve të cilat i kishte planifikuar, mirëpo kjo njësi nuk ka realizuar planin në tërësi.

“Mos mbulueshmëria e periudhës aktuale me auditime nga NjAB zvogëlon sigurinë që i ofrohet menaxhmentit në lidhje me funksionimin e sistemeve financiare. Gjithashtu, një program i papërfunduar i NjAB-sё zvogëlon sigurinë që i ofrohet menaxhmentit në lidhje me funksionimin e kontrolleve nё ndërmarrje. Kjo mund të rezultojë me dobësi të paidentifikuara dhe me vazhdimin e praktikave joefektive që mund të përfundojnë me humbje financiare për Postën e Kosovës”, thuhet në raportin e Auditorit të Jashtëm.

Lidhur me këto çështje, Arsim Mehmeti, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Postën e Kosovës, ka thënë për Gazetën JnK se çështjet që janë theksuar në Raportin e Auditorit të Zyrës Kombëtare e Auditimit, sa i përket auditimit të brendshëm të Postës së Kosovës Sh.A. nuk kanë qenë bazë për opinion.

“Për çështjet e konstatuara nga ZKA, sa i përket auditimit të brendshëm kemi diskutuar me stafin e tyre në takime që kemi pasur. I kemi kundërshtuar këto konstatime dhe po ashtu kemi shpjeguar se nuk  janë relevante këto çështje që të jenë të përfshira në raport”, thuhet në përgjigjen e tij.

Por, Kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Halit Isufi në shkresën e dërguar tek ZKA-ja ka thënë se pajtohet me të gjeturat dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm dhe se është zotuar se të njëjtat do t’i adresojnë bazuar në planin që pritet të përgatitet.

Por, Mehmeti ka shtuar se sipas Planit të Punës, të miratuar nga Komisioni i auditimit është vepruar konform detyrave dhe përgjegjësive që ka NJAB.

“Auditimet janë kryer për të përcaktuar pajtueshmërinë e proceseve të ndërmarrjes me legjislacionin përkatës, rregulloret dhe rregullat e tjera, dhënien e raporteve të dobishme të auditimit, të cilat i ndihmojnë menaxhmentit për të kuptuar rreziqet e tyre, si dhe të ofrojnë rekomandime praktike për përmirësimin e procedurave të kontrollit, proceseve dhe vendimeve për të adresuar rreziqet me të cilat përballet ndërmarrja”, ka shtuar ai.

“Për tu arritur kjo normalisht që ne së bashku me Komitetin e Auditimit kemi vlerësuar se aktivitetet tona në pjesën e parë të vitit 2018, duhet fokusuar  më tepër në periudhën 2017, por duke mos anashkaluar aktivitetet edhe për periudhën 2018. Në pjesën e dytë të vitit 2018, auditimet kanë mbuluar vitin 2018 (dëshmi janë raportet)”, ka thënë ai.

Kjo ndërmarrje thekson se sipas Planit vjetor janë  planifikuar nëntë auditime dhe tre aktivitete.

“Nga këto vetëm një auditim nuk është përfunduar edhe pse ka qenë në proces. Pra Plani i Punës sa i përket aktiviteteve është realizuar plotësisht, ndërsa i auditimeve 90%. Për pamundësinë e përfundimit të auditimit të fundit, ka qenë i njoftuar edhe Komisioni i auditimit dhe kjo ka ndodh për shkak se jemi angazhuar në aktivitete që janë vlerësuar me prioritare. Komisioni i auditimit e ka të drejtën edhe të ndryshimit të Planit Vjetor”, ka thënë Mehmeti për Gazetën JnK.

Sipas ZKA-së, Njësia e Auditimit të Brendshëm (NjAB) operon me dy anëtarë të stafit – Drejtori i NjAB dhe një auditor, ndërkaq për të kryer një auditim efektiv nevojitet një program gjithëpërfshirës i punës i cili reflekton rreziqet financiare dhe të tjera të Kompanisë dhe ofron siguri të mjaftueshme mbi efektivitetin e kontrollit të brendshëm.

ZKA thekson tutje se NJAB kishte përgatitur planin vjetor ku kishte planifikuar nëntë auditime dhe tri aktivitete.

“Prej tyre tetë janë realizuar gjatë vitit 2018. Përmes raporteve të saj, NJAB i kishte ofruar informata menaxhmentit se sa efektive janë kontrollet e brendshme dhe funksionimi i tyre.  Qasja e auditimit të brendshëm ishte e bazuar në rreziqe dhe në ngjarjet të kompanisë”, vijon raporti.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!