Dobësitë në sistemin e kontrollit të cilësisë së derivateve të naftës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e performancës “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës”.

Për kontrollin dhe monitorimin e cilësisë së derivateve të naftës në import është përgjegjëse Dogana e Kosovës, ndërkohë që për treg të brendshëm është përgjegjëse Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Sipas ZKA-së, sistemi ekzistues i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës nuk është në gjendje të sigurojë cilësinë e derivateve të naftës në importe dhe në tregun e brendshëm.

“Përkundër përpjekjeve për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës, kontrolli dhe monitorimi i këtyre produkteve është përcjellë me mangësi të shumta, dhe kjo ka ndikuar që të mos sigurohet cilësia e derivateve të naftës në import dhe në tregun e brendshëm”, thuhet në raport.

Njëra prej gjetjeve të raportit është se cilësia e derivateve të naftës në import nuk është siguruar në nivelin e duhur.

Në raport thuhet se kontrollet e importeve të derivateve të naftës të kryera nga Dogana nuk kanë qenë të përshtatshme dhe për pasojë nuk kanë arritur të sigurojnë se nafta e importuar në Kosovë plotëson kërkesat dhe standardet si ato vendore, ashtu edhe ato ndërkombëtare.

“Kjo për faktin se, janë importuar derivate të naftës bazuar në testimin e numrit minimal të parametrave, mungesës së raporteve të testimit laboratorik në sistem, mungesës së informatave të plota në sistem për Trupat Inspektuese që kanë bërë marrjen e mostrave, pamundësisë së identifikimit të Trupave Inspektuese, mungesës së akreditimit të Laboratorit të Doganës si dhe mungesës së pajisjeve për testimet e nevojshme”, vazhdon raporti.

Kryeinspektori i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla ka thënë se ata nuk e ka fare problem t’i marrin të gjitha parametrat që kërkohen me Udhëzim Administrativ dhe ligj por që po hasin në pengesa dhe rezistencë nga ana e bizneseve.

“Sa i përket parametrave që i marrim gjatë verës dhe dimrit kemi pas hezitim se nëse merret të gjithë ato parametra një biznesi i kushtojnë 1 mijë deri në 1700 euro. Ne nuk e kemi fare problem shtimin e parametrave por problemi është që ne hasim rezistencë në teren, se kur të shkosh, ata të këqyrin si armik e jo si mik”, theksoi Syla gjatë tryezës së organizuar nga ZKA për prezantimin e raportit.

Sipas ekipit auditues, mangësitë e tilla kanë bërë që të mos ofrohet siguri mbi cilësinë e derivateve të naftës në import si rezultat i mungesës së plotësisë dhe besueshmërisë së proceseve të marrjes së mostrave dhe testimeve.

Për më tepër, sipas ZKA-së, as cilësia e derivateve të naftës në tregun e brendshëm nuk është siguruar në nivelin e duhur.

Kjo për faktin që, edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka lejuar qarkullimin e derivateve te naftës në tregun e brendshëm mbi bazën e testimit të një numri të vogël të parametrave, mungesës së monitorimit adekuat të procesit të akreditimit, si dhe shkeljet e kërkesave të autorizimit nga Laboratorët dhe funksionimi pa autorizim i Trupave Inspektuese.

Më tutje, përcaktimi i kontrolleve nuk bazohet në analizën e riskut, ka mungesë të testimeve për rezultate krahasuese, nuk ka ndërmarrje të masave ndaj derivateve në mënyrë që ato të tërhiqen nga pikat e shitjes si dhe laboratori mobil nuk është funksionalizuar.

“Këto mangësi e vejnë në pikëpyetje kompetencën dhe besueshmërinë e marrjes së mostrave dhe testimit të tyre, dhe bëjnë që të mos ofrohet siguri mbi cilësinë e derivateve që qarkullojnë në tregun e brendshëm”, theksohet në raportin e ZKA-së.

Lirimi i derivateve të naftës në qarkullim pa raport të laboratorit

Një tjetër gjetje e ZKA-së është se një pjesë e derivateve të naftës së importuar janë liruar për qarkullim të lirë pa pasur raport të laboratorit të bashkangjitur në sistem

Gjatë analizimit të mostrave për periudhën maj – dhjetor 2017 dhe janar – dhjetor 2018, ekipi editues ka identifikuar raste që janë lejuar për qarkullim të lirë pa e pasur të bashkangjitur në sistem (Asycuda) raportin e testimit laboratorik.

Gjatë vitit 2018 (janar-dhjetor), 19% të mostrave të shikuara janë paraqitur me raport të derivateve të tjera të testuara ndërsa vetë nuk ishin testuar dhe në 5% të mostrave, ka munguar raporti i testimit në sistem si dokument i bashkangjitur edhe pse një dokument i tillë ka ekzistuar dhe është përcjellë në forma të tjera.

Gjatë periudhës maj-dhjetor 2017, në 20% të mostrave janë paraqitur raportet e derivateve të tjera të testuara më parë pa u testuar vetë derivati dhe në 20% të mostrave ju ka munguar raporti i testimit si dokument i bashkangjitur në sistem, edhe pse këto derivate janë testuar. Gjatë periudhës janar-mars 2019, në mostrën e përzgjedhur nuk janë hasur raste me mungesë të raporteve të testimit në sistem.

Testimi i parametrave pa akreditim

Në raportin e ZKA-së është potencuar se Laboratori i Doganës ka testuar parametra për të cilët nuk ka qenë i akredituar dhe nga muaji prill i vitit 2019 kryen testime pa akreditim.

Ky laborator mbulon shumicën e kontrolleve për cilësi që bëhen përmes testimeve laboratorike për derivatet që importohen në Kosovë. Akreditimi ka pasur afat dy vjeçar që nga momenti i lëshimit të certifikatës. Në prill të vitit 2019, certifikata e akreditimit të laboratorit ka skaduar.

Për një kohë laboratori ka pasur një pajisje të prishur (atë të distilimit) të cilën deri në muajin korrik 2019 nuk ka arritur ta riparoj apo ta zëvendësoj me një të re prandaj zyrtarët përgjegjës kanë planifikuar që pasi të riparohet/zëvendësohet pajisja të bëjnë kërkesë për ri-akreditim.

“Kjo vonesë për tu ri-akredituar ka ardhur edhe nga fakti se akreditimi sipas Ligjit në fuqi është një proces vullnetar dhe jo-obligativ, përpos në rastet kur për kryerjen e aktiviteteve specifike për vlerësimin e konformitetit është përcaktuar ndryshe në një ligj apo rregullore specifike. Megjithatë, marrë parasysh kërkesat e standardeve ndërkombëtare dhe praktikave të vendeve të rajonit, akreditimi për këtë laborator është i nevojshëm”, vazhdon raporti.

Laboratori posedon pajisjet për të testuar parametrat si: sulfuri; viskoziteti në 40ºC; distilimi (pajisja është jashtë funksionit që nga marsi 2018); densiteti në 15ºC; përmbajtja e esterit metilik të acidit yndyror (ka filluar të funksionoj nga fundi i vitit 2018).

Por përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Musa Gashi deklaroi se në asnjë udhëzim administrativ dhe ligj nuk thuhet që laboratori i doganës duhet të jetë i akredituar.

“Por ne kemi pranuar akreditim për besueshmëri dhe kredibilitet”, ka potencuar Gashi.

Laboratori i Doganës teston numër të vogël të parametrave

Parametrat që gjatë periudhës 2017-2019 janë testuar më së shpeshti nga Laboratori i Doganës janë: sulfuri, densiteti në 15˚C, distilimi, dhe viskoziteti kinematik.

Në raport thuhet se që nga muaji shkurt 2018 e deri në korrik 2019 parametri i distilimit nuk testohet fare, kështu që numri i parametrave të cilët i teston Laboratori i Doganës është shumë i vogël për të përcaktuar me siguri cilësinë e derivateve të naftës.

Shkak i numrit të vogël të parametrave që testohen nga Laboratori i Doganës është edhe fakti që ky laborator nuk posedon pajisjet për testimin e më shumë parametrave.

“Fakti që numri i parametrave të cilësisë që i teston Laboratori i Doganës është shumë i vogël në krahasim me numrin e parametrave që kërkohen me Udhëzim, bënë që edhe testimet e tilla të jenë të mangëta, sidomos për të dhënë siguri mbi cilësinë e derivateve të naftës në import”, thuhet në raport.

Musa Gashi nga Dogana e Kosovës në tryezën e organizuar nga ZKA për prezantimin e raportit theksoi se parametrat kontrollohen të gjithë por nuk analizohen të gjithë. Sipas Gashit, ato kontrollohen në aspektin e dokumenteve dhe nëse ka dyshime ato analizohen.

“Mendoj se konkluzioni i fundit nuk korrespondon me të gjeturat. Nëse analizojmë raportin, ne pajtohemi me gjetjet mirëpo fryma qysh janë përshkruar nuk korrespondon me gjetjet. Dogana ka bërë plan për implementim të këtyre gjetjeve”, tha Gashi.

Foto: ZKA

Mungesa e testimit të parametrit të Distilimit

Nga muaji mars i vitit 2018, pajisja e cila bënë matjen e parametrit të Distilimit është jashtë funksionit.

Ky parametër ka qenë i testuar gati në çdo testim të Laboratorit të Doganës gjatë vitit 2017 e deri në shkurt të vitit 2018, duke qenë se konsiderohet i rëndësishëm në përcaktimin e cilësisë së derivatit të naftës.

Pas analizimit të mostrave të pranuara është evidentuar se Laboratori i Doganës në shumicën e rasteve, nuk ka bërë kërkesë për testim të parametrit të distilimit tek laboratorët tjerë vendorë të cilët e kanë këtë parametër dhe janë të akredituar dhe autorizuar nga Ministria për të testuar atë.

Nga gjithsej kërkesat për testime gjatë vitit 2018 nga Laboratori i Doganës është bërë kërkesë për testimin e parametrit të distilimit tek laboratorët vendorë vetëm për 40 raste, apo 4% të total testimeve laboratorike.

Ndërkaq për vitin 2019, deri në fillim të korrikut është testuar parametri i distilimit tek laboratorët vendorë vetëm në 8 raste. Si rezultat i mos funksionimit të pajisjes së Distilimit, Laboratori i Doganës ka kryer testime, mirëpo me mungesë të rezultateve të këtij parametri për periudhë shumë të gjatë kohore gjendja vazhdon të jetë e njëjtë akoma.

“Në kohën kur është testuar ky parametër nga Laboratori i Doganës ka rezultuar që mostrat të jenë jo-konforme, prandaj në mungesë të testimit të tij laboratori mund të ketë lëshuar dhe të vazhdojë të lëshojë si konforme mostra të cilat në fakt për këtë parametër mund të mos kenë cilësinë e kërkuar”, theksohet në raportin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së, mos funksionimi i kësaj pajisje ka bërë që numri i parametrave që testohen nga Laboratori i Doganës të kufizohet akoma më tutje dhe kjo të ndikojë akoma më shumë në pamundësinë e këtij laboratori për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës në import.

Standardet e dyfishta në interpretimit të rezultateve të parametrave

Në raportin “Sistemi i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivatev të naftës” theksohet se Trupa Inspektuese ka aplikuar standarde të dyfishta në interpretimin e rezultateve të parametrave.

Parregullsi që krijojnë dyshime dhe bëjnë që rezultatet të kontestohen, janë rastet kur parametrat kanë tejkaluar vlerat e lejuara, mirëpo Trupat Inspektuese e kanë konsideruar rezultatin si konform për shkak që për këtë Trupat Inspektuese bazohen tek marzha e tolerancës apo siç njihet ndryshe si pasaktësi matëse që secili prej laboratorëve aplikon për parametrat që i testojnë.

Vlerat e lejuara të parametrit të Distilimit janë tejkaluar në 25% të mostrave të kontrolluara mirëpo rezultati ka dalë konform pasi që Laboratori 1 ka një pasaktësi matëse prej +- 1.389 për këtë parametër. Për ta kuptuar këtë rast, maksimumi i vlerës që lejohet për këtë parametër është 360. Vlerat e mostrave në dy prej rasteve kanë rezultuar 360.2 dhe 360.8, që nëse e krahasojmë me pasaktësinë matëse të këtij laboratori i bie që është brenda pasaktësisë së toleruar. Mirëpo, nëse e krahasojmë një testim të po të njëjtit laborator të kryer në maj të vitit 2018, për një nga mostrat e kontrolluara atëherë kur rezultati për po të njëjtin parametër ka dalë 361.3 që sërish ka qenë brenda pasaktësisë së toleruar të këtij Laboratori, mostra është konsideruar jo-konforme nga Trupa Inspektuese 2.

“Kjo tregon që Trupa Inspektuese 2 nuk i ka trajtuar rastet njësoj, pra ka vepruar me standarde të dyfishta. Aplikimi i standardeve të dyfishta bënë që rezultatet e testimeve të mos ofrojnë siguri dhe besueshmëri për cilësinë e derivateve dhe të jenë të kontestueshme”, potencohet në raportin e ZKA-së.

Marrja dhe testimi i mostrave pa autorizim

Një gjetje tjetër që është evidentuar në raport është që Trupa Inspektuese ka marrë mostra të derivateve të naftës pa pasur autorizim dhe Laboratorët kanë kryer testime për parametra për të cilët nuk posedojnë autorizim.

Gjatë analizimit të lëndëve të pranuara si nga Dogana ashtu edhe nga Inspektorati i Tregut është evidentuar se Trupa Inspektuese 1 ka bërë marrjen e mostrave të derivateve të naftës pa autorizim.

Më saktësisht veprimet e Trupës pa autorizim me kërkesë të Doganës janë bërë gjatë periudhës 22 shkurt 2018 dhe 5 mars 2018. Ndërkaq, veprimet e Trupës pa autorizim me kërkesë të Inspektoratit janë bërë gjatë periudhës 8 shkurt 2017 dhe 21 shkurt 2017.

Po ashtu, gjatë analizimit të raporteve të testimit të laboratorëve për kontrollet e Inspektoratit është evidentuar se Laboratori 158 dhe Laboratori 259 kanë kryer testimin e cilësisë së derivateve Dizel dhe Benzinë për parametra për të cilët nuk posedojnë autorizimin e Ministrisë.

Numri i ulët i kontrolleve gjatë vitit 2017 dhe 2018

Në raport theksohet se Inspektorati ka kryer numër të ulët të kontrolleve gjatë viteve 2017 dhe 2018. Gjatë vitit 2017, Inspektorati ka arritur të kontrollojë rreth 26% të pikave shitëse të derivateve të naftës, prej të cilave 165 dizel dhe 144 benzinë.

Në vitin 2018, janë kontrolluar 213 pika shitëse, ose rreth 33% e pikave shitëse të derivateve të naftës.

“Rritja e kontrolleve në vitin 2018 ka reflektuar edhe në rritjen e kontrolleve të kryera për dizel dhe benzinë në krahasim me vitin 2017”, vazhdon raporti.

Siç shihet, gjatë këtyre dy viteve numri i kontrolleve të kryera nga Inspektorati në krahasim me numrin e pikave shitëse të derivateve të naftës ka qenë shumë i ulët, pra një pjesë e konsiderueshme e pikave shitëse kanë mbetur pa u kontrolluar fare.

Sipas Inspektoratit, njëri ndër shkaqet kryesore për numrin e ulët të kontrolleve gjatë viteve 2017 dhe 2018 ka qenë numri i kufizuar i inspektorëve. Me rritjen e numrit të inspektorëve, është përmirësuar edhe gjendja gjatë vitit 2019.

Foto: ZKA

Numri i kontrolleve gjatë vitit 2019 në krahasim me dy vitet paraprake është rritur pasi që vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti Inspektorati ka arritur të kontrollojë rreth 38% të pikave shitëse.

“Numri i ulët i kontrolleve gjatë viteve 2017 dhe 2018 është shqetësues për dy arsye: pikat shitëse janë kontrolluar vetëm një herë gjatë vitit dhe nuk janë testuar për rezultate krahasuese, si dhe ekziston mundësia që rreth 74% e pikave që nuk janë kontrolluar në vitin 2017 dhe rreth 67% e pikave që nuk janë kontrolluar në vitin 2018 të kenë pasur në posedim derivate të naftës jo-konforme, dhe që ato si rezultat i mungesës së kontrollit kanë qarkulluar në tregun e brendshëm pa u vërejtur”, numërohen te pjesa e shqetësimit të ngritur nga ky numër i vogël i kontrollit.

Në Kosovë gjatë periudhës 2013-2017, vihet re një trend në rritje i importit të benzinës, naftës, mazutit të ndryshëm dhe kerozinës. Më saktësisht, nga viti 2013 në vitin 2017 importi i këtyre produkteve është rritur për 37%.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar Doganës që të ndërmarr veprimet e nevojshme për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës, duke shtuar numrin e parametrave të testuar përmes funksionalizimit të Laboratorit me pajisje adekuate përpos atyre ekzistuese, konfirmimin e kompetencës së Laboratorit përmes ri-akreditimit, si dhe evidentimin e procesit të mostrimit në tërësi.

Ndërsa Inspektoratit të MTI-së i ka rekomanduar që të ndërmarr veprimet e nevojshme për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës, duke përmirësuar mangësitë e proceseve të akreditimit, autorizimit dhe kontrolleve. Po ashtu, të shtojë numrin e parametrave të testuar përmes bashkëpunimit me Laboratorët vendorë dhe të funksionalizojë Laboratorin mobil.

 

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!