Gjilani

Borxhi ndaj Komunës së Gjilanit rritet për 1 milion e 200 mijë euro

Komuna e Gjilanit nuk ka krijuar mekanizma efikasë për mbledhjen e borxhit prej rreth 12 milionë euro.

Në krahasim me vitin 2019, llogaritë e papaguara janë rritur për 1,2 milion euro.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) thuhet se për shkak se borxhi është rritur nga viti në vit, një numër i  madh i debitorëve nuk e kanë paguar atë.

“Komuna nuk ka krijuar mekanizma efikas për mbledhjen e të arkëtueshmeve(borxhit). Për faktin se të arkëtueshmet janë rritur nga viti në vit, një numër i madh i debitorëve të tatimit në pronë, dhe të atyre të marrjes me qira të pronës komunale, nuk kanë paguar borxhet e tyre. Krahasuar me vitin paraprak, llogaritë e arkëtueshme janë rritur për 1,205,562€”,  thuhet në raportin e Auditorit.

Në raport theksohet se Komuna e Gjilanit nuk kishte marrë masa konkrete për arkëtimin e llogarive të arkëtueshme për shkak të pandemisë.

Mosaplikimi i mekanizmave të përcaktuar me ligj ndikon në rritje të vazhdueshme të këtyre llogarive, që rezulton me fonde të pakta për arritjen e synimeve dhe mund të ndikojë edhe tek debitorët e tjerë që të mos paguajnë detyrimet e tyre.

“Komuna e Gjilanit në Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2020 ka shpalosur llogari të arkëtueshme(borxh) në vlerë prej 11,997,965€. Kjo shumë përbëhet nga tatimi në pronë 9,906,693€, nga licencat e biznesit 1,751,033€, nga dhënia me qira e pronës komunale 301,628€, nga partneriteti publiko privat 33,404€ si dhe nga inkubatori i bizneseve 5,207€”, theksohet tutje në raportin e ZKA-së.

Komuna e Gjilanit në Pasqyrat Financiare të saj për vitin 2019 ka paraqitur gjendjen e llogarive të arkëtueshme në vlerë prej 10,792,402 €.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020 e gjeni këtu.