AME nuk ka ripërtërirë të dhënat historike për fatkeqësitë në nivel vendi që nga viti 2016

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) nuk ka arritur që të rivlerësojë dhe përditësojë dokumentet për vlerësimin e rreziqeve dhe të dhënat historike mbi fatkeqësitë në nivel vendi.

Kështu thuhet në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për këtë agjenci.

Sipas ZKA-së, përditësimi i dokumentit për vlerësimin e rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera në nivel vendi nuk është bërë që nga viti 2016.

Në raportin e auditimit potencohet se, mospërditësimi i këtij dokumenti ka pamundësuar parashikimin e fatkeqësive dhe pasojave të mundshme nga fatkeqësitë, duke pamundësuar të bëhet vlerësimi i duhur i mbrojtjes nga rreziqet përkatëse dhe masat parandaluese për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë.

Ndërsa, sipas institucionit, arsyeja pse nuk është hartuar një plan i vlerësimit të rrezikut në nivel vendi këto vitet e fundit ka qenë pritja e ndryshimit të rregullores për metodologjinë e hartimit të vlerësimit të rrezikshmërisë e cila ka hy në fuqi me 24 nëntor 2020.

Edhe pse në planin e punës së AME-së për vitin 2019 dhe 2020 ka qenë i paraparë ndryshimi i kësaj rregullore, është vonuar për shkak të ndryshimit të shpeshtë të qeverisë dhe shfaqja e pandemisë Covid-19.

Tutje në raport theksohet se, vlerësimi i rrezikut në nivel vendi si pjesë kyçe për parandalimin e një fatkeqësie në vend, nëse nuk përditësohet më shpesh, pamundëson parashikimin e fatkeqësive dhe pasojave të mundshme nga fatkeqësia, si dhe pamundëson të propozohet niveli i duhur i mbrojtjes nga rreziqet përkatëse dhe masat parandaluese për mbrojtje, shpëtim dhe ndihmë.

Bartësve tjerë të vlerësimit të cilët janë të obliguar që vlerësimet e tyre t’i harmonizojnë me vlerësimin nivel vendi nuk mund të nxjerrin konkluzione të sakta për llojet e fatkeqësive që i kanosen komunitetit komunal.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e performancës “Parandalimi dhe reagimi ndaj situatave emergjente: Vërshimet”.

Palët përgjegjëse për menaxhimin e situatave emergjente në nivel qendror, të cilat edhe kanë qenë subjekt i auditimit janë: Agjencia për Menaxhim Emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qendra e Situatave në kuadër të Këshillit të Sigurisë së Kosovës si dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Përderisa në nivel lokal, subjekt i auditimit kanë qenë komunat Gjakovë dhe Vushtrri përkatësisht drejtoritë përkatëse komunale si dhe Njësitë Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim.

Përzgjedhja e komunave Gjakovë dhe Vushtrri është bërë duke marrë parasysh shpeshtësinë e fatkeqësive të ndodhura në këto komuna për periudhën e fushëveprimit 2019, 2020 deri në janar të vitit 2021.