Asistenti ekzekutiv i kryetarit të OShP-së shqyrtoi ankesat e bizneseve për tender

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të Organit Shqyrtues të Prokurimit janë gjetur parregullsi në shqyrtimin e ankesave të bizneseve.

Auditori ka gjetur se në një rast shqyrtimin e ankesës së biznesit e ka bërë asistenti ekzekutiv i kryetarit të Bordit të OShP-së, Blerim Dina.

“Në tre (3) raste, kemi vërejtur që janë autorizuar punonjës të brendshëm administrativ (zyrtar i të hyrave, zyrtari kryesor financiar dhe asistenti ekzekutiv i kryetarit) të cilit nuk mbanin titullin e Ekspertit Profesional Shqyrtues për të trajtuar ankesa”, thuhet në raportin e OShP-së.

Auditori ka konstatuar se nenit 17, pika 7 dhe 10 të rregullores së punës së OSHP-së nr.01/2017 thotë se: nëse ankesa i takon juridiksionit të OShP-së kjo lëndë menjëherë i caktohet një eksperti profesional të prokurimit i cili gjendet në listën e ekspertëve të përzgjedhur nga Kryesuesi i Sekretariatit dhe Kryetari i Bordit të OShP-së.

OShP-ja është arsyetuar se angazhimi i stafit administrativ në shqyrtim të ankesave është bërë me qëllim të kursimit të buxhetit.

“Sipas OSHP-së pa marrë parasysh emërtimin e zyrtarëve në Akt Emërime të gjithë punonjësit e OSsP-së i plotësojnë kriteret për shqyrtim të lëndëve”, thotë auditori.

Por, Auditori thotë se një praktik e tillë rrit rrezikun për ndikim dhe mund të dëmtojë bizneset.

“Autorizimi i personave administrativ për shqyrtimin e ankesave rrit rrezikun e ndikimit në kryerjen e detyrave të caktuara sipas rregullores së brendshme për detyra dhe përgjegjësitë që ju ngarkohen këtyre zyrtareve. Kjo praktikë mund të reflektoj në shqyrtime jo profesionale dhe të zbeh reputacionin e institucionit duke dëmtuar palët në proces”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kryetarit të OShP-së i është rekomanduar që ankesat e bizneseve të shqyrtohen vetëm nga ekspertet shqyrtues.

“Kryetari i OShP-së duhet të siguroj që autorizimi i ekspertëve profesional shqyrtues të bëhet në bazë të rregullores së punës të OShP-së në mënyrë që ekspertizat të kryhen vetëm nga ekspertet kompetent”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Organi Shqyrtues i Prokurimit i shqyrton ankesat e bizneseve dhe merr vendime të formës së prerë për tenderët e hapur nga institucionet publike.