UP merr vendim për Ardian Kastratin

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka marrë vendim në lidhje me Ardian Kastratin, profesorin dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së.

Këshilli i Etikës i ka dhënë vërejtje me shkrim Ardian Kastratit. Të njëjtit i është caktuar masa e mohimit të përfshirjes në komisione vlerësuese dhe në mentorim të të gjitha niveleve në Universitetin e Prishtinës, për dy vite, nga 4 prilli i vitit 2021.

Ky vendim është marrë pas postimit të Kastratit, në ditën kur Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e Kosovës.

 

Sipas vendimit të Këshillit të Etikës, fakti që profesori Kastrati e ka të pezulluar punën në UP, si deputet i Kuvendit të Republikës është irrelevant për vendosje, meqë edhe në kohën e dhënies së deklaratës edhe në kohën e nxjerrjes së vendimit ka pasur marrëdhënie pune të vlefshme me UP-në.

“Këshilli i Etikës ka konstatuar në procedurën e këshillimit dhe të votimit përtej çdo dyshimi të bazuar (neni 7 par. 3 i Rregullores për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të UP, nr. 857, datë 11.04.2017) se postimi i denoncuar në atë formë dhe me atë përmbajtje konsiderohet cenim i rregullave etike, të parapara me kornizën normative të UP”, thuhet në vendim.

Largimi i postimit nga ana e Kastratit është konsideruar i vonshëm nga Këshilli i Etikës.

“Këshilli i Etikës konsideron se largimi i postimit ka qenë i vonuar dhe atë pasi është dhënë kritika fyese dhe pasi është bërë publik dhënia e deklaratës së papërshtatshme dhe jo akademike. Fakti i largimit të postimit mund të merret për bazë si rrethanë lehtësuese, por jo edhe konditë përcaktuese për kualifikimin juridik të deklaratës”, është thënë në vendim.

Tutje, Këshilli i Etikës ka konstatuar se pretendimi i të denoncuarit “se nuk është dhënë postimi si profesor” është i paqëndrueshëm, meqë secili person i stafit akademik dhe joakademik është i detyruar dhe ka përgjegjësinë për ruajtjen e imazhit të UP-së, si brenda ashtu edhe jashtë tij.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje nga Kastrati, por i njëjti nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.

Ardian Kastrati në ditën kur Vjosa Osmani ishte zgjedhur presidente, kishte cituar vargje të Faik Konicës në postimin e tij në Facebook.

Të njëjtin postim, Kastrati e kishte fshirë pas reagimeve të shumta nga shoqëria civile, të cilët kanë organizuar protesta për largimin e Kastratit nga pozita e profesorit në UP.

Në anën tjetër Kastrati ishte arsyetuar se “aty ku e citoj Faik Konicën iu paska dhanë drejtim i gabuar!”

Ai gjithashtu kishte shkruar se nuk ka qenë duke e përcjellë seancën për zgjedhjen e presidentes.

“Sa e qela fcb-në po e shoh që më paskan gozhdu do analista e portale. Unë as që kam qenë t`u e pa seancën për zgjedhjen e presidentit kur e kam shkru atë postim. As që më ka shku mendja te Vjosa Osmani, as Adelina Grainca, as për asnjë person të gjallë në këtë botë. …siç paskan aluduar disa.  Askush nuk duhet të ndihet i ofenduar sepse postimi s`ka pas adresë politike e aq më pak seksiste”, ka shkruar mes tjerash ai.