Foto: ORCA/Facebook

ORCA pretendon se revista e Universitetit të Kraiovës ka larguar punimin Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit

Disa anëtarë të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, morën sot rrugën drejt Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, përkatësisht në Këshillin e Etikës.

Arsyeja ishte për të dorëzuar në këtë Këshill, sipas tyre, një dosje me prova shtesë mbi pretendimet e ORCA-s për plagjiaturën e denoncuar me një tetor të vitit 2021 të dy profesorëve të Fakultetit Filozofik, Ardian Kastratit dhe Bujar Dugollit.

Dyshimet e ORCA-s janë për punimin e tyre “Diplomacy through the ages of history: Theoretical analyses of the concept” të publikuar në revistën “Analele universitatii din craiova-seria istorie” të Universitetit të Kraiovës në Rumani në vitin 2017.

Sipas Dibran Hoxhës, menaxher i aktiviteve në ORCA, ky punim është hequr tashmë nga revista rumune pas një komunikimi zyrtar me këtë organizatë.

“Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli janë plagjiatorë. Për ta thënë lirshëm këtë fjali më vihet në mbështetje edhe vet revista ku kishin botuar këta dy plagjiatorë. Me gëzim të madh ju njoftoj se vet revista e ka hequr punimin e këtyre dy plagjiatorëve pas një komunikimi që ne si ORCA kemi bërë me ta disa javë më parë”, ka thënë Hoxha para mediave.

Sipas tij, ky punim u ka shërbyer dy profesorëve për t’u avancuar në tituj akademik.

Hoxha tha pas dorëzimit të bërë në Këshillin e Etikës për këtë çështje, pas gjashtë muajsh, me 10 mars të këtij viti, ky këshill është përgjigjur duke thënë se ata kanë vendosur që çështjen e referuar për pretendimet e plagjiaturës ta administrojnë përmes ekspertizës profesionale, gjë të cilën Hoxha e ka konsideruar “si skandaloze dhe ikje nga përgjegjësia”.

“Përgjigja e Këshillit të Etikës është skandaloze… është haptazi ikje nga përgjegjësitë që i takojnë këtij organi, gjë që nuk ndodh për herë të parë. Prandaj, ORCA është dashur ta bëjë hap tutje me qëllim të faktimit përfundimtar të plagjiaturës së profesorëve të lartpërmendur” ka thënë ai.

Ndërkaq, Adea Kondirolli, menaxhere e projekteve në këtë organizatë, ka thënë para mediave se heqja e këtij punimi nga revista është bërë pasi të njëjtat prova dhe dëshmi i janë dorëzuar revistës më 15 mars të këtij viti teksa më 25 mars revista, ka konfirmuar plagjiaturën në këtë punim.

“Më 25 mars 2022, revista i është përgjigjur ORCA-s duke konstatuar dhe verifikuar plagjiaturën e punimit të profesorëve Dugolli dhe Kastrati. Në përgjigjën zyrtare të pranuar nga ta thuhet se punimi do të hiqet menjëherë nga revista dhe se politikat e revistës nuk e lejojnë plagjiaturën në asnjë formë. Rrjedhimisht, pas disa ditësh punimi është hequr nga revista”, ka thënë Kondirolli duke shtuar se me datën 1 prill ata e kanë konfirmuar se punimi i lartpërmendur është hequr nga revista.

E pyetur se nga cilat burime janë marrë pjesët që ORCA i cilëson të vjedhura, Kondirolli është përgjigjur duke thënë se plagjiatura e këtyre profesorëve ka qenë kombinim i burimeve të ndryshme.

“Më duket janë 36 pjesë të vjedhura prej punimeve të ndryshme. Ka plagjiaturë prej burimeve të internetit, sllajdeve të studentëve në shtetet perëndimore, pjesë të vjedhura nga punime shkencore, libra, është një përzimje….”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, pas aktivitetit të sotëm të zhvilluar nga ORCA, KALLXO.com ka kontaktuar Bujar Dugollin, i cili e ka komentuar konferencën e ORCA-së, si një fushatë e orkestruar ndaj tij.

“Fushatë e orkestruar e tyre për qëllime tjera sepse ne e kemi përfill kriterin e revistës edhe nuk ka asgjë këtu të paqartë. Nuk është një punim i mirëfilltë shoqëror, por është një recension. E ke deklaratën time në Facebook ku kam deklaruar për herë të parë, nuk kam asgjë përtej asaj deklarate”, ka qenë përgjigjja e Dugollit.

Teksa i është përmendur edhe deklarata e “ORCA” se punimi i Dugollit dhe Kastratit është hequr nga revista “Analele universitatii din craiova-seria istorie”, Dugolli është përgjigjur duke thënë se “ORCA” nuk është kompetente për këtë çështje.

“Një OJQ nuk ka kompetencë profesionale me trajtu dhe me marrë në konsideratë artikuj të cilat janë botu në standarde tjera. Ata nuk janë kompetent m’u marrë me këtë çështje dhe i konsideroj jo kompetentë dhe kanë qëllime tjera lidhur me këtë fushatë që e bëjnë ndaj meje dhe zotit Kastrati”, tha Dugolli.

KALLXO.com ka tentuar që përmes përgjigjes telefonike dhe e-mail adresës të marrë edhe një prononcim nga Ardian Kastrati, por ky i fundit nuk kanë qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Përmes emailit, KALLXO.com po ashtu ka bërë një kërkesë për konfirmim nga ana e revistës “Analele universitatii din craiova-seria istorie” dhe është në pritje të përgjigjes.

Akuzat e para se ky punim ka përmbajtje të plagjiaturës, ORCA i kishte bërë më 23 qershor të vitit të kaluar.

Ata kishin deklaruar se në fillim të 2021-të kjo organizatë ka pranuar një denoncim anonim ku tregohej se punimi i këtyre dy profesorëve i botuar në vitin 2017 kishte elemente të plagjiaturës.

Ndaj këtij njoftimi kishte reaguar profesori Bujar Dugolli, i cili përmes një postimi në Facebook e kishte cilësuar këtë gjë si përpjekje për të sulmuar dhe njollosur emrin e tij.

Tutje Dugolli kishte deklaruar se ai dhe bashkautori Ardian Kastrati, i kanë përfillur të gjitha standardet e citimit e po ashtu edhe kriteret profesionale dhe metodologjike që kërkohen nga revista.

Dugolli po ashtu ishte arsyetuar duke thënë se punimi mund të ketë ngjashmëri me punimet e tjera shkencore për shkak të koncepteve dhe termeve që trajtohen në të.