Ardian Kastrati i drejtohet pozitës: Na keni lodhur me statistika

Në seancën e Kuvendit kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij kanë raportuar për punën e arritjet e tyre gjatë dy vieteve të Qeverisë Kurti.

Mirëpo, Ardian Kastrati, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha se statistikat që kabineti qeveritar ka paraqitur janë gënjeshtra.

“Na keni lodhur me statistika dhe po çuditem çfarë kondicioni keni edhe çfarë aftësie keni, na impresiononi me kamuflu të vërtetën me rrena se këto statistika janë krejt rrena. Realiteti është shumë i lehtë mu pa me sy, del këtu jashtë dhe takohesh me kë të duash, çdo i dyti dëshiron të ikë nga ky vend, është bërë i pajtueshëm, sidomos në këto dy vitet e fundit” – ka thënë Kastrati.

Madje, deputeti i PDK-së ka përdorur edhe një histori për t’iu kundërpërgjijur pozitës.

“Pa dashur ta banalizoj, unë kam pasur një mik para lufte që thoshte e kam blerë mercedesin 17 mijë marka, ndërsa e ka pasë blerë 12 mijë marka, thoshte po gënjej për t’ia rritur vlerën. Më pas kishte filluar të na gënjente edhe neve shokëve, thoshte ‘kam filluar t’u besoj gënjeshtrave të mia’. Këta (qeveria) po u besojnë rrenave të veta”- ka thënë ai.

Gjithashtu, Kastrati ka akuzuar ministrat dhe presidenten e Kosovës për punësimin e familjarëve të tyre.

“Tani vazhdoni qeverisni me këtë stilin bëhem socialist me vitra e me vitra. Shumë e thjeshtë është me strukturu dhe me mat përmes premtimeve. Punësim po (ka), por (ka) për tezaka, vajza të hallave, të motrave etj. etj., kjo nuk është drejtësi. Prej presidentes, tezakë e vëllazni e deri te ministra. A ka ma banale se me u bë presidente e ministre e me e punësu dikë?”- ka thënë ai.

Ndaj deputetit Kastrati është përgjigjur ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila ka thënë se treguesit janë ata që e dëshmojnë punën e Qeverisë.

“Janë rritur shumë bizenset për shkak të të bërit biznes për shkak që e kemi lehtësuar me shumë ligje legjislacionet e pritura në reformë për 10 vite e më shumë, dhe numri i bizneseve është 11 mijë e 53 biznese të regjistruara për dy vite; investime e huaja arritën vlerën rekorde prej 772 milionë euro në vitin 2022, 84% më shumë krahasuar me vitin 2021, 101% më shumë rritje nga viti 2020 dhe 138% më shumë krahasuar me vitin 2019”- ka thënë ministrja para deputetëve.

“Përmirësuam bilancin tregtar duke e sjellë në raport 1 me 6 eksport-import, në krahasim me vitin 2019 kur ai ishte 1 me 10. Eksporti i mallrave për herë të parë arriti vlerën  e 920 milionë euro të vitit 2022…” – ka shtuar ajo.

Përsëri kësaj i është përgjigjur deputeti Kastrati, i cili ka thënë se ministrja Hajdari është pasyqrë e fjalimit të tij lidhur me statistikat.

“Ti je pasqyra më e mirë e fjalimit tim sepse unë tregova me sa rrena e keni ndërtuar qeverisjen e ti je njëra prej tyre që po më vjen keq me thonë por goxha shumë ke rrejtë në atë raportin policor kur e ke pasur atë aksidentin me fëmijë. Me rrena jeni duke e ndërtuar çdo detaj” – i është përgjigjur deputeti Kastrati ministres Hajdari.

Pas kësaj ka mbaruar seanca e sotme plenare teksa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se seanca do vazhdojë nesër në ora 13:00.

“Shihemi nesër në ora 13:00 në vazhdim të kësaj seance sepse i kemi së paku 12-13 deputetë që kanë me folë e po ashtu edhe disa ministra”- ka thënë Konjufca.