Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati nxjerrë një pankartë në gjuhën serbe: ‘Vulin, lëshoje ujin’

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, përmes foltores së Kuvendit të Kosovës tha se nuk kanë parë reagim të ashpër nga institucionet e Kosovës lidhur me deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin i cili e ka quajtur shpikje, falsifikim dhe gënjeshtër masakrën e Reçakut.

“Është e çuditshme se çfarë reagimesh pati nga Kosova në raport me këtë deklaratë. Nuk është kjo patetizëm sepse ne do të kemi jo ndjenja por respekt në thellësinë më të madhe për ato viktimat e Reçakut dhe gjithë tjerat si në rastin e Reçakut. Reagoi ShBA, reagoi BE dhe nuk pas një reagim të ashpër nga kjo qeveri”, tha Kastrati.

Kastrati ka pasur edhe një porosi nga foltorja e Kuvendit për ministrin serb.

“Vulin lëshoja ujin”, ishte porosia e tij për Vulin.

Kastrati tha se është e turpshme që institucionet të dalin me reagim kaq të dobët.

“Ideja është që ju keni qenë edhe nëpër rrugë për Palestinën. Palestina ka thënë se Reçaku është çështje e brendshme e Serbisë. Palestina i jepte medalje Millosheviqit kur ai i kishte bërrylat dej këtu me gjak atje në Reçak. Prandaj unë sot qëllimisht jo me ju kritiku juve po me ja dhënë atij një porosi prej këtu në gjuhën e tij sepse kështu më së miri ai e kupton se është kogja e turpshme që ne të dalim me një reagim kaq të dobët”, tha ai.

Deputeti i PDK-së kishte kritika edhe për ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla e cila sipas tij nuk ka reaguar.

“Ishte dashtë që ditën kur ai ka dal, ministrja e Kurtit, Gërvalla që mezi s’pret me dhanë dëshmi për Kadriun e Thaçin e atje me dal me reagu për këtë çështje dhe nuk u pa që reagoi por edhe kryeministri dhe gjithë qeveria së bashku”, shtoi Kastrati.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, tha se shteti i Kosovës ndaj këtyre veprimeve reagon me procese gjyqësore.

“Nëse jeni në ngjarje, shteti i Kosovës ndaj këtyre veprimeve reagon me procese gjyqësore dhe me dënime të personave të cilët e mohojnë masakrat në Kosovë. Kjo është mënyra e reagimit të shtetit tonë të gjykatave tona. Kërkoj nga ju si deputet të mos e degradoni dinjitetin vuajtjeve dhe sakrificës së popullit të Kosovës”, tha Konjufca.

Dy ditë më pare presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani kishte dhënë një deklaratë lidhur me këtë rast.

“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”, kishte thënë presidentja Osmani.

Sipas saj përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij.

Osmani tha se mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur.

“E vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera,  NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”, kishte thënë Osmani.

Pas mbledhjes së Qeverisë, të mbajtur më 10 dhjetor, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se janë në përgatitje të padisë për gjenocid dhe se po tentojnë të prodhojnë një drejtësi të vonuar.

Kështu u përgjigj Sallahu kur u pyetur se si e vlerëson deklaratën e ministrit serb, Aleksandër Vulin, që janë në përgatitje të një dokumentari për mohimin e masakrës së Reqakut.

“Bota e dinë se Serbia ka kryer masakër dhe gjenocid në Republikën e Kosovës dhe mbi bazën e kësaj ne po luftojmë të faktojmë sa më shumë. Pas faktimit të këtyre po përgatitemi për padi për gjenocid dhe po mundohemi të prodhojmë një drejtësi të vonuar”, kishte thënë ai.