Ministrja e Arsimit premton një platformë anti-plagjiaturë në vitin 2023

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka folur sot për rastet e raportuara të plagjiaturës nga profesorë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Nagavci ka bërë të ditur se është planifikuar që në vitin e ardhshëm të krijohet një platformë anti-plagjiaturë për punimet shkencore.

“Në buxhetin e vitit 2023 kemi ndarë një shumë për 150 mijë eurove për sistemin anti-plagjiaturë, e cila do të vihet në funksion në të gjitha institucionet e arsimit të lartë”, ka thënë ministrja.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), javën e kaluar në konferencë për media ka njoftuar se Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë një vendim sa i përket denoncimit të tyre për plagjiaturë për profesorët e Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.

ORCA tha se më 6 qershor 2022, Këshilli i Etikës i ka kthyer përgjigje ORCA-s duke konstatuar përfundimisht se punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore.

“Këshilli i Etikës ka shqiptuar masa ndaj dy anëtarëve të stafit akademik, duhet të kemi parasysh se masat e tilla duhet të kenë efekt parandalues në të ardhmen”, ka thënë Ngavci.

Këshilli i Etikës vendos për plagjiaturën e Dugollit dhe Kastratit, Dugolli e quan fushatë të ORCA-s