Universiteti Hasan Prishtina

Foto: Denis Sllovinja

Propozimi i ri për paga – rektori me pagë më të lartë se kryetari i komunës, prokurori e ambasadori

Rektori i një universiteti publik në Kosovë, në bazë të draft projektligjit të ri për paga pritet të ketë pagë më të lartë se një kryetar komune, se një zëvendësministër, një ambasador dhe po ashtu më shumë se një prokuror.

Rektori i një universiteti publik është propozuar të ketë koeficientin 14.2. Ky koeficient është një nga më të lartit në draftin e projektligjit për paga.

Këtë koeficient nuk e ka asnjë gjyqtar i Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore si dhe asnjë prokuror dhe kryeprokuror i Prokurorive Themelore, që kanë koeficientin 13.4.

Rektori i universitetit publik e ka po ashtu koeficientin më të lartë se Drejtori i Policisë së Kosovës dhe ai i Doganës që e kanë koeficientin 14.

Po ashtu koeficienti 14.2 i rektorit është më i lartë se edhe i një ambasadori që është 10.5 dhe më i lartë se këshilltarët politik nëpër institucione.

Rektori po ashtu me këtë koeficient pritet të ketë pagën më të lartë se një kryetar i komunës që e ka koeficientin 13 dhe më të lartë se një zëvendësministër me koeficient 12.6.

Rektori i një universitetit publik po ashtu pritet të ketë pagën më të lartë se një mjek specialist që është propozuar ta ketë koeficientin 10.1.

Në ligjin për paga të vitit 2018 rektori e kishte koeficientin 5.50. Vlera e një koeficienti në ligjin paraprak që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese ishte 239 euro.

Në draftin e projektligjit të ri për paga nuk është caktuar vlera e koeficientit.

KALLXO.com për këtë çështje ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Deri në publikim të këtij shkrimi, kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje për vlerën e caktuar të koeficientit por as edhe kush ka qenë në grupin punues të këtij drafti të projektligjit të ri për pagat në sektorin publik.

Draft-projektligji nuk e përcakton vlerën e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji.

Në lidhje me këtë draft-projektligj, dje ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili i ka quajtur deziformata raportimet e media, pasi që sipas tij nuk ka draft final.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020.

Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlefshëm.