Prishtinës pritet t'i shtohen edhe tri shkolla të reja

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar marrëveshje partneriteti me kompaninë ‘Bau Schooll’ për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tri shkollave të reja në Prishtinë.

Shkollat janë me partneritet publiko – privat (PPP) dhe do të ndërtohen në lagjet ‘Sofali’, ‘Mati 1′ dhe ‘Prishtina e re’ në Veternik.

Kostoja e këtyre shkollave pritet të shkojë deri në 13 milionë euro.

Sipas kryetarit Rama, proces të ngjashëm partneriteti planifikojnë edhe për katër shkolla tjera.

“Këto shkolla do u mundësojnë më shumë se 2,500 nxënësve të vijojnë mësimin në to. Kjo do ndikojë edhe në lirim të komunikacioni nëpër qendër, stresit të prindërve e nxënësve. Falënderoj Bankën Botërore pasi ky është proces PPP. Planifikojmë që këtë metodë ta përdorim edhe për katër shkolla tjera” – tha Rama.

Ndërkaq, nënkryetari Alban Zogaj ka deklaruar se punimet do të fillojnë në pranverë. Sipas tij, mësimi në këto shkolla do të fillojë në shtator 2024.

“U nënshkrua kontrata me kompaninë e cila do të ndërtojë 3 shkolla të reja në Prishtinë! Shkollat do t’u shërbejnë 2500 nxënësve të Prishtinës. Punimet fillojnë në pranverë, kurse mësimi në to në shtator 2024” – ka shkruar nënkryetari Zogaj.

Projekti për ndërtim të këtyre shkollave ka nisur gjatë qeverisjes së ish-kryetarit Shpend Ahmeti por është përcjellur më zvarritje për shkak të procedurave të prokurimit, ku një kompani ishte ankuar në Organin Shqyrtues, i cili ka qenë pa bord gati një vit.