Presidenti i EQAR: Kosova shumë shpejt do të mund të rianëtarësohet në ENQA dhe EQAR

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në një konferencë për media tha se rikthimi i Kosovës në ENQA dhe EQAR është interes nacional dhe kanë punuar si Qeveri në këtë drejtim.

“Kemi punuar me shumë përkushtim si ministri dhe Qeveri në arritjen e prioriteti. Ne kemi garantuar si institucion pavarësinë institucionale të Agjencisë për Akreditim, kemi finalizuar ligjin për AKA dhe konsideroj se kemi dërguar një draft shumë të mirë të ligjit, të cilin kemi marrë konfirmimin dhe lëvdatë edhe nga presidenti i ENQA”, tha Nagavci.

Ajo shtoi se edhe Agjencia për Akreditim ka punuar që të zbatohen të gjitha rekomandimet e dhëna.

“Kemi siguruar objektin për AKA dhe kemi planifikuar buxhetin dhe po e ndihmojmë AKA për rritjen e stafit, duke eliminuar të gjitha procedurat burokratike të AKA-së. Edhe vetë AKA ka bërë hapa përpara dhe ka zbatuar të gjitha rekomandimet e ENQA”, tha Nagavci më tej.

Nagavci shtoi se së shpejti në Kuvend do të votohet edhe Ligji për Agjencinë për Akreditim si kriter për rikthim në ENQA dhe EQAR.

Kurse, presidenti i EQAR-it, Karl Dittrich tha se Kosova ka shënuar progres dhe do të mund të kthehet në ENQA dhe EQAR së shpejti.

“Është kënaqësi të jem sërish në Kosovë pas momentin tragjik që e kishim në 2018 kur AKA u largua nga ENQA dhe EQAR. Ne kemi ardhur këtu dhe kemi diskutuar me anëtarë të komisionit për arsim, me shoqërinë civile si dhe me institucionin qendror. Ne jemi absolutisht të bindur se me punën që është duke u bërë, AKA do të kthehet në ENQA dhe EQAR në një periudhë të shkurtë. Ne jemi optimist dhe e inkurajojmë AKA të punojë që të bashkohet në organizatat evropiane”, tha Dittrich.

Në vitin 2018, Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua nga EQAR, për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie që ishte bërë me kërkesë të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj. Kjo organizatë kishte konsideruar se AKA ka humbur mundësinë të veprojë si e pavarur pas asaj ndërhyrje politike.

Pas kësaj, më 19 prill të vitit 2018, Agjencisë Kosovare të Akreditimit i ishte degraduar statusi brenda ENQA-s nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim.

Por, më 2 tetor të vitit 2019, ENQA përfundimisht e përjashtoi AKA-në. Arsyet pse ndodhi kjo përfshijnë mungesën e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e agjencisë si dhe mungesën e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e AKA.

ENQA kishte dhënë disa rekomandime për Agjencinë e Akreditimit që përfshijnë metodologjinë e veprimit, përfshirjen e studentëve dhe pavarësinë e veprimit.