Parlamenti Studentor
Parlamenti Studentor: Ftesat e dërguar MAShTI-t janë anashkaluar
Në ditën e parë të fillimit të vitit akademik 2021/22 përfaqësuesit e Parlamentit Studentor kanë paraqitur pakënaqësitë përmes një konference për media para objektit të MAShTI-t.
Fatlind Azizi përfaqësues i Parlamentit Studentor ka thënë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është duke anashkaluar takimet me studentët për të dëgjuar kërkesat që kanë.
“I kemi dërguar ministres dhe zëvendësministrave 6 ftesa të tilla, duke filluar më 21 gusht, 14 shtator, 18 shtator, 28 shtator, 7 tetor dhe 12 tetor të këtij viti, ftesa dhe kërkesa për t’u takuar, por që asnjëra nga këto lëre që nuk ka pasur përgjigje pozitive, por nuk ka pasur as edhe konfirmime negative, që këto takime nuk do të zhvillohen. Pra me një fjalë ka pasur anashkalim total të kërkesave që vijnë nga përfaqësuesit e 40,000 studentëve të Universitetit të Prishtinës”, ka thënë ai.
Azizi ka bërë të ditur se “Këto anashkalime kanë filluar që nga plani i vendosjes së refugjatëve në Qendrën e Studentëve dhe mos dhënie të llogarisë për përfaqësuesit e studentëve, deri sa paralajmëruam protesta masive”.
Ata kanë bërë të ditur se në rast se kërkesat e tyre dhe përfaqësuesve studentor nuk merren parasysh, Parlamenti Studentor do të bëjë kundërshtime më të mëdha.