Parlamenti Studentor i UP-së paralajmëron protesta: S’do të lejojmë në asnjë formë vendosjen e afganëve në konvikte

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina, ka mbajtur një konferencë për media rreth zërave për vendosjen e refugjatëve afganë në Qendrën e Studentëve të UP-së.

Nënkryetari i Parlamentit, Fatlind Azizi, e filloi konferencën duke potencuar se i mirëpresin të gjithë refugjatët që po planifikohet të strehohen në Kosovë, duke e ndërlidhur këtë fakt me traditën dhe kulturën bujare të Kosovës.

“Kjo qendër edhe për nga vetë emri tregon që eshtë e studentëve dhe e themeluar për të vetmen arsye që t’iu shërbejë atyre. Këtu studentët banojnë dhe ushqehen me një kosto shumë të përshtatshme që përkthehet në një lehtësim tepër të madh, sidomos duke marur parasysh gjendjen ekonomike të shumicës prej familjeve kosovare”, tha Azizi.

Duke përmendur faktin se QS-ja nuk kishte thënë asnjë fjalë edhe pse vitin e kaluar konviktet ishin nxënë nga qytetarë që u karantinizuan e dëmtuan gjërat personale të studentëve, Azizi ka thënë se QS-ja nuk mund të shërbejë si vend ku institucionet mëshirohen dhe mund të kryejnë obligimet e tyre, sepse kjo qendër është e supozuar t’iu shërbejë vetëm studentëve.

“Ajo sfidë vetëm se ka kaluar, por po ndërlidhemi me faktin se QS-ja nuk mund të bëhet një vend i cili mëshirohen institucionet dhe mund t’i kryejnë obligimet që ata i kanë ndërmarrë, sepse kjo supozohet t’iu shërbejë vetëm studentëve”, shtoi ai.

Ai ka thënë se pasi që morën informacion rreth këtij planifikimi, i dërguan shkresë zyrtare nëpërmjet një emaili Kryeministrit dhe Ministres së Arsimit por që nuk morën përgjigjie, gjë e cila edhe i shtyu ta mbajnë këtë konferencë.

“Në atë shkresë u sqaruam se ky veprim që po mendohet të merret është në kundërshtim me Statusin e QS-së dhe u kërkua me mirëkuptim anulimin e këtij vendimi. Kosova ka mjaft vende të ndryshme dhe kampe ku do të mund të vendoseshin refugjatët. Një nga rastet e fundit është edhe vendosja e vëllezërve dhe motrave tanë nga tërmetet e mëdha në Shqipëri, ku një numër shumë i madh u sistemuan në vendin tonë nëpër qendra të ndryshme”, ka thënë përfaqësuesi i Parlamentit Studentor të UP-së.

Ai ka paralajmëruar protesta në qoftë se edhe kjo konferencë nuk ka ndikim te institucionet duke thënë se nuk do të lejojnë në asnjë formë vendosjen në konvikte të askujt tjetër përpos studentëve.

Qeveria e Kosovës më 16 gusht ka marrë vendim për strehimin e refugjatëve afganë, pas kërkesës që është bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më tani nuk dihet saktë se kur do të vijnë në Kosovë afganët as se ku do të qëndrojnë.

Në Afganistan, militantët talibanë kanë marrë kontrollin e shtetit.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.