Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Foto: KALLXO.com

LVV pas zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së: Nuk synojmë të dirigjojmë organizmat universitarë

Me vonesa e tensione nga studentët, Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka zgjedhur të premten anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit.

Para se të fillonte mbledhja e Senatit, në hyrje të Rektoratit u zhvilluan tensione nga ana e përfaqësuesve të studentëve që kanë qenë deri tani.

Ata kundërshtuan mbajtjen e kësaj mbledhjeje pasi, sipas tyre, ata kanë mandat deri më 30 shtator dhe përfaqësuesit e rinj e fillojnë mandatin më 1 tetor dhe është e drejta e tyre për të votuar për anëtarë të KD-së.

Ndaj këtij procesi dhe aludimeve për ndikim nga Lëvizja Vetëvetëvendosje ka reaguar kjo e fundit.

Përmes një komunikate LVV ka thënë se nuk ka synim dhe përpjekje për të dirigjuar organizmat universitarë duke theksuar se nuk janë mbrapa ndonjë lëvizjeje studentore.

“Duam të njoftojmë opinionin publik se Lëvizja VETËVENDOSJE! as nuk ka si synim dhe as nuk bën përpjekje për të  dirigjuar organizmat universitarë. E kundërta, ne “dirigjohemi” në plot fusha e çështje tonat nga mendimi universitar dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës. Sigurisht nga çfarë pamë, niveli i përfaqësuesve në organin drejtues të Universitetit nuk përkon as me nivel të shumicës aty as me pritjet që i kanë të gjithë për Universitetin”, thuhet në reagimin e LVV-së.