Ngritet ‘alarmi’ për mos-miratimin e marrëveshjes së bashkëpunimit Kosovë-Austri

Mos-ratifikimi i një marrëveshje ndërkombëtare mes Kosovës dhe Austrisë mund të rrezikoj zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkencës në vend. Kjo për faktin se nga kjo marrëveshje varet projekti HERAS+, projekt ky që mbështet këtë sektor.

Dje, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi ka ngritur ‘alarmin’ për mundësinë e humbjes së fondeve nga projekti “HERAS+”, shkaku i mos miratimit në Kuvend të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit Kosovë-Austri.

Nagavci ka shkruar në “Facebook” se bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim është shumë i rëndësishëm dhe ndihmon në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë.

“Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim – ADA për Zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara në Arsimin e Lartë + (Heras)”, projekt ky i cili do të financohet nga ADA dhe MASHTI (Pala Austriake  financon me 2.5 milion euro, MASHTI me 300.000 euro), duhet të ratifikohet në Kuvend”, tha ajo.

Sipas saj, kjo marrëveshje është miratuar në Qeveri më 22 qershor dhe e njëjta është shqyrtuar në Kuvend me datë 16 korrik 2021, por Nagavci thekson se në mungesë te korumit (77 deputetë të pranishëm), e njëjta është shtyrë dhe vazhdon ende ne pritje për votim në kuvend.

Nagavci ka lutur të gjithë deputetët, pa marrë parasysh subjektin që përfaqësojnë, që ta votojnë këtë projektligj sa më shpejtë.

“HERAS është një marrëveshje që do të ndihmojë shumë në arsimin e lartë për të ofruar një model të mirëfilltë të kërkimit shkencor, andaj ftoj të gjithë deputetet ta votojnë”, tha ajo.

“Kuvendi është vend për debate rreth të gjitha temave, madje edhe për “betejë politike”. Megjithatë, duhet të bëjmë kujdes që në “beteja” të tilla të mos i përfshijmë miqtë tanë të cilët na kanë ndihmuar dhe na ndihmojnë me përkushtim, sidomos jo duke u shprehur me përbuzje për ndihmën që japin dhe duke i vënë në pyetje motivet e tyre, por as duke thënë të pavërteta”, tha ministrja më tej.

Reagim pati edhe nga ana e Ambasadorit të Austrisë në Kosovë, Christoph Ëeidinger, i cili përmes një postimi në Twitter më 3 nëntor, tha se është e rëndësishme që sa më herët të ratifikohet kjo marrëveshje për të mirën e të gjithë studentëve të Kosovës.

 

KALLXO.com përmes burimeve ka kuptuar se Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i ka shkruar dje letër edhe shefeve të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që të votohet në Kuvend sa më shpejtë kjo marrëveshje si dhe duke i treguar detaje të projektit.

Më 25 tetor, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kishte thënë se janë duke e përgatit një padi për marrëveshjen mes Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë Austriake për HERAS +, pasi sipas tij, kjo marrëveshje edhe pse nuk është miratuar në Kuvend ajo po implementohet.

“Edhe pse marrëveshja nuk është ratifiku në Kuvend këto fonde kanë fillu mu implementu. E kërkojmë ministren që të raportoj në Kuvend që edhe ne mos të procesojmë padinë”, tha ai.

Por, për këtë Ministrja Nagavci ka dhënë sqarime në letrën dërguar grupeve parlamentare, që KALLXO.com e ka siguruar.
Sipas saj,  batimi i projektit HERAS Plus ka filluar më 1 qershor të vitit 2020, ndërsa lansimi zyrtar i projektit është bërë më 25 nëntor 2020 me prezencë të ish-ministrit të Arsimit, Ramë Likaj.
“Pas kryerjes të të gjitha procedurave ligjore, marrëveshja ndërshtetërore për këtë projekt është nënshkruar më 18 maj 2021, diç më pak se dy muaj pas marrjes së detyrës nga Qeveria aktuale. Teksti i marrëveshjes është pothuajse identik me Marrëveshjen e nënshkruar nga Ministri Bajrami dhe të ratifikuar nga Kuvendi2, përveç faktit se buxheti i HERAS Plus është 2.8 milion euro, prej të cilave 300 mijë janë kontribut nga Buxheti i Kosovës”, ka shkruar Nagavci në letrën e saj dërguar deputetëve.
“Është e qartë se kjo qeverisje nuk e ka zbatuar projektin HERAS e as nuk e ka filluar projektin HERAS Plus. Thjeshtë, ne e kemi kryer një obligim ndërkombëtar të marrë nga qeverisja paraprake, duke vlerësuar lartë ndihmën zhvillimore të Republikës së Austrisë për arsimin e lartë dhe shkencën, e cila ofrohet në vazhdimësi nga viti 2006”, ka shkruar ajo më tej.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të shefave të grupeve parlamentare dhe është duke pritur përgjigje.

Projekti HERAS (Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara) qëllim kryesor ka pasur që të kontribuojë në funksionimin e Arsimit të Lartë dhe Hulumtimeve në Kosovë në linjë me parimet e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë dhe Zonën Evropiane të Hulumtimeve me objektivë afatgjatë për të përkrahur zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

Përfituesit kryesor kanë qenë: Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) si dhe Universitetet Publike të Kosovës. Projekti është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me bashkëfinancim nga MASHT (10%). Buxheti i planifikuar ka qenë 2,000,000 EUR (ADA 1.800.000 EUR, MASHT 200.000 EUR).