Marshi i nxënësve me moton “S’po shkohet n’shkollë” - 19 prill 2022, Foto: KALLXO.com
Marshi në Prishtinë, ankesa se në shkolla po merren vendime pa i pyetur nxënësit
Me moton “S’po shkohet në shkollë” dhe thirrje të shumta për barazi e siguri në arsim, sot u mbajt marshi i Këshillit të Nxënësve të Kosovës në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në kryeqytet për mungesën e cilësisë në arsim dhe sjelljet e profesorëve.
Denis Krasniqi nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës ka thënë se çdo vendim në shkolla po merret pa i pyetur nxënësit.
“S’po shkohet në shkollë sepse çdo vendim merret për neve pa neve. Kur ne duam të flasim duhet ta ngritim dorën, kur ne duam të drejtat tona, na fyejnë e ngacmojnë”, ka thënë Krasniqi.
Ai tutje shtoi se kur ankohen, profesorët i kërcënojnë me fuqinë e notës dhe askush nuk i mbron.
Sipas tij, në shkolla nuk ka higjienë e tualete të mirëfillta.
“Kur ne ankohemi na kërcënojmë më fuqinë e notës, s’po shkohet sepse askush s’na mbron. Në shkollë na i përbuzin mirëqenien. Rrezikohemi nga ndotja e papastërtia dhe mungojnë kushtet elementare për mbajtjen e higjienës. Nuk kemi shujtë ditore, nuk kemi tualete të mirëfillta”, shtoi tutje Krasniqi.
Nxënësit në këtë marsh ngritën edhe problemin e mungesës së psikologeve.
Përfaqësuesi i Këshillit të nxënësve po ashtu potencoi se në shkolla ende mësojnë më metoda të vjetra e literaturë ku gruaja diskriminohet.
“Hala mësojmë përmes diktimit dhe skriptës, nuk kemi libra. S’po shkohet në shkollë sepse ato libra janë të vjetra dhe diskriminojnë gratë dhe kategoritë e margjinalizuara. Shkolla është e mërzitshme, sistemi është i vjetër dhe ne s’jemi në qendër”, shtoi Krasniqi.
Ai po ashtu theksoi edhe problemin ku profesorët i ftojnë nxënësit në kurse private.
“Në shkollë s’po shkohet sepse na ftojnë në kurse private dhe nëse nuk shkojmë, nuk marrim notë të mirë”, shtoi Krasniqi.