Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Malishevë, hapen shkollat për klasët e nënta dhe çerdhja

Në Komunën e Malishevës janë hapur shkollat për zhvillimin e mësimit për klasët e nënta dhe çerdhja.

Sipas një njoftimi për media, këtë e ka bërë të ditur, drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, pasi ka vizituar disa nga shkollat.

“Kemi bërë dezinfektimin e shkollave dhe të çerdhes, e po ashtu, kemi pajisur nxënësit me maska, si dhe të gjitha shkollat janë pajisur me dezinfektues për duar”, tha drejtori Thaçi.

Gjatë vizitës në shkolla që Thaçi i ka bërë së bashku me zyrtarët e drejtorisë, Halim Hoti dhe Shefqet Kryeziu, i kanë uruar nxënësit e klasave të nënta për kthimin në bankat e shkollës, dhe ju kanë uruar sukses në përgatitjen e tyre për testin e arritshmërisë.

Zyrtarët e drejtorisë së arsimit, e kanë vizuar edhe çerdhen, e cila gjithashtu është hapur sot, pasi janë krijuar kushte për hapjen e saj dhe numri i fëmijëve në çerdhe ishte i konsiderueshëm..

Po ashtu në këtë takim, u bë e ditur se Policia e Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Arsim dhe Edukim, do të mbajnë edhe ligjërata për masat mbrojtëse në raport me pandeminë.

Më 8 qershor, Ministria e Arsimit ka njoftuar se shkollat e Malishevës nuk janë hapur për shkak se nuk kanë mundur t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme në të gjitha shkollat.