Arkiv

Në Junik dhe Malishevë sot nuk ka filluar mësimi plotësues për klasat e nënta

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka njoftuar se mësimi plotësues për klasat e nënta për Testin e Arritshmërisë ka filluar në të gjitha komunat, përveç në Komunën e Junikut dhe të Malishevës.

“Sipas raportimeve të DKA-ve, mësimi plotësues për nxënësit e klasave të nënta, i paraparë të fillojë sot me kalendarin e përshtatur, ka filluar në të gjitha komunat, përveç në Komunën e Malishevës dhe atë Junikut për arsye se nuk kanë pasur mundësi t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme në të gjitha shkollat dhe në këto komuna mësimi pritet të fillojë gjatë javës”, thuhet në njoftimin e MAShT-it.

Paraprakisht, sipas deklarimeve të përgjegjësve të arsimit nëpër komuna, është bërë edhe dezinfektimi i objekteve shkollore dhe janë siguruar dezinfektues dhe maska në shkolla dhe po zbatohen rekomandimet e IKShP-së.

Mësimi plotësues për përgatitje për Testin e Arritshmërisë do të zgjasë deri më 19 qershor, ndërsa Testi do të mbahet më 23 qershor 2020.