Bedri Hamza dhe Natalia Apostolova, Dorëzimi i programit të reformave ekonomike, Foto: KALLXO.com

Apostolova Bën Thirrje për Zbatimin e Reformës Ekonomike

Ministri i Financave, Bedri Hamza sot i ka dorëzuar shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova programin e reformave të ekonomisë 2018 – 2010 të miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Gjatë pranimit të këtij programi Apostoliva i bëri thirrje ministrit Bedri Hamza, si koordinator kombëtar i procesit dhe kolegëve të tij në qeveri, të përqendrohet në zbatimin e masave që i kanë hartuar.

“Vetëm nëse zbatohet siç duhet, masat e ERP do të ndryshojnë jetën e popullit të Kosovës për të mirë”, ka theksuar Apostolova.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se për herë të parë ky program ka kaluar përmes një procesi konsultativ te përgjithshëm duke u konsultuar me shoqërinë civile e me komunitetin e biznesit..

“Jemi të vetëdijshëm që na pret një rrugë e gjatë e transformimit për të arritur konvergjencë me anëtarët e Unionit. Drejt këtij rrugëtimi, hapi i parë është planifikimi më i mirë strategjik prandaj programi për reforma në ekonomi është platformë që na mundëson efektivitet më të lartë të qeverisë tonë. Fokusi kryesor është vendosur në përmirësimin e ambientit rregullator, boshllëqet në rend, edukim, shëndetësi”, ka potencuar Hamza.

Ndër të tjera ai ka thënë se rritja ekonomike pritet të kaloj 4.5 për qind kurse rritja e stoqeve të borxheve do të jetë i kujdesshëm.

Natalia Apostolova u shpreh se përmbushja e kritereve ekonomike është një kërkesë kryesore për anëtarësimin në BE.

“Kjo nënkupton një ekonomi funksionale të ekonomisë së tregut e cila ka kapacitetin për t’i bërë ballë presionit konkurrues brenda tregut të vetëm të BE-së. Komisioni Evropian jep një pasqyrë të gatishmërisë dhe përparimit në përmbushjen e kritereve ekonomike çdo vit, përmes Raportit të Kosovës, që do të duhej të ishte në prill.  Programi i Reformës Ekonomike është një proces shumë i rëndësishëm për BE-në, ajo është shtylla kurrizore e qeverisjes ekonomike, një nga 3 shtyllat e strategjisë së zgjerimit”, ka thënë Apostolova.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë ka theksuar po ashtu se programi i reformave ekonomike ka një vlerë të madhe praktike dhe nuk është vetëm një dokument tjetër që përgatitet nga Qeveria e Kosovës dhe BE-ja.

“Qëllimi i reformave ekonomike është të ndihmojë në hartimin e politikave ekonomike dhe sociale më të përshtatshme, më të besueshme, më të përballueshme dhe të zbatojnë reformat që do të ndihmojnë Kosovën në përmirësimin e jetës së njerëzve të saj”, ka përfunduar Apostolova.