Aktakuza: Vrasja e Rreshterit u Planifikua në Brezovicë

Eprori  policor i Krimeve Ekonomike Shemsi Gashi ishte paralajmëruar disa ditë përpara vrasjes së tij se diçka e keqe mund t’i ndodhte.

Në dëshmitë e reja të dorëzuara në gjykatën e Prishtinës nga prokurorja që po heton rastin, janë dhënë detaje të tjera rreth  vrasjes së 25 marsit 2015 të rreshterit policor Shemsi Gashi.

Siç shkruhet në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com  gruaja e të ndjerit në deklaratën e saj kishte rrëfyer para prokurores se shtëpia e tyre ishte sulmuar me armë një muaj para ngjarjes kritike.

Kjo ngjarje sipas deklaratës së gruas së të ndjerit nuk ishte raportuar në polici për shkak se rreshteri i vrarë kishte tentuar që problemet private t’i mbajë larg detyrës zyrtare.

Rreshteri Shemsi Gashi u vra mëngjesin e 25 marsit rrugës për në zyrën e tij.  Hetimet e prokurorisë së Prishtinës kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të ketë motiv punën të cilën Gashi e kishte kryer në Policinë e Kosovës.

Prokuroria ngriti aktakuzë për 8 persona duke i akuzuar se kanë gisht në vrasjen e Gashit.  Një pjesë e madhe e tyre janë të afërm të tij.

Motivi i ngjarjes sipas prokurorisë  ishte një problem pronësor në mes të të ndjerit dhe Ramadan, Mujë e Agron Gashit. Bëhet fjalë për një parcelë pronësore prej 40 arësh në Lagjen e Spitalit në Prishtinë të cilën e kishin trashëguar bashkërisht nga paraardhësit e tyre.

Përgatitja e vrasjes sipas prokurorisë

Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku  akuzohen nga prokuroria se planifikuan vrasjen e Shemsi Gashit.

Sipas prokurorisë ata kishin shkuar në Brezovicë ku ishin marrë vesh që me ndërmjetimin e Vesel Bunjakut t’i gjejnë personat për të kryer vrasjen e rreshterit Gashi.

Aktakuza precizon se dy javë para kësaj vrasjeje Vesel Gjinovci dhe Kujtim Bejiqi pasi që kishin biseduar në telefon me Adonis Gashin janë takuar në Prishtinë me Ramadan Gashin i cili në vendtakim kishe ardhur me një xhip.

Aktakuza më tutje sqaron se Vesel Gjinovci e njoftoi Ramadan Gashin se pas bisedës me Adonis Gashin ka pranuar që ta kryejë vrasjen, ndërsa Ramadani i premtoi si shpërblim 5000 euro, kurse me automjetin e tij e dërgoi Gjinovcin deri te shkolla e fshatit Mat, duke ia treguar orarin e punës së Shemsi Gashit dhe rrugën nga ai udhëtonte në relacionin punë-shtëpi dhe anasjelltas.

Pranim dhe mospranim i fajësisë

Në deklaratën e tij në prokurori, i dyshuari kryesor Vesel Gjinovci  e ka pranuar fajësinë duke thënë se në shoqëri me Kujtim Bejiqin e kanë kryer vrasjen e Shemsi Gashit. Gjinovci ka treguar gjithashtu se Kujtim Bejiqin e ka shok që nga fëmijëria.

Kujtim Bejiqi, sipas aktakuzës së prokurorisë, nuk e ka pranuar se bashkë me Gjinovcin kanë vrarë rreshterin policor, por edhe Bejiqi ka treguar se Vesel Gjinovcin e ka shok, jo që nga fëmijëria, por që 5-6 vjet.

Megjithatë, Bejiqi nuk ka mundur t’i ikë faktit se ishte pranë vendit të vrasjes së rreshterit Gashi.

Aktakuza sqaron se Bejiqi ka bërë të ditur që ditën e vrasjes së rreshterit më 25 mars 2015 kishte dalë për të ecur në mëngjes bashkë me Vesel Gjinovcin, ndërsa sipas tij Vesel Bunjaku i kishte dërguar me makinë afër vendit ku ndodhi vrasja.

Në deklaratën në prokurori, Bejiqi kishte thënë se duke ecur paralel së bashku me Vesel Gjinovcin, Gjinovci e ka nxjerrë revolen dhe ka gjuajtur 4-5 herë në një person.

Bejiqi në këtë rast e kishte shfajësuar veten, duke deklaruar se vetë nga frika kishte ikur në shtëpi.

Aktakuza e prokurorisë Vesel Gjinovcin dhe Kujtim Bejiqin  i akuzon se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Në deklaratën para prokurorisë fajësinë për përgatitjen e vrasjes së rreshterit Shemsi Gashi nuk e ka pranuar as Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Robert Gashi, Adonis Gashi dhe Vesel Bunjaku. Të gjashtët akuzohen për shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Po ashtu aktakuza Ramadan Gashin, Muja Gashin, Robert Gashin, Vesel Bunjakun  dhe Vesel Gjinovcin i ngarkon edhe për armëmbajtje pa leje.

Ramadan Gashi i ka thënë prokurorisë se Shemsi Gashin e ka pasur kushëri dhe nuk ka pasur me të kurrfarë konflikti. Ai e ka pranuar vetëm kontestin pronësor me vëllain e Shemsi Gashit, duke mohuar se i ka dërguar kërcënime rreshterit të vrarë për këtë kontest.

I akuzuari Muja Gashi, në deklaratën e tij ka thënë nuk ka kontribuar në ndonjë mënyrë në vrasjen e Shemsiut e as që i njeh Kujtim Bejiqin, Vesel Gjinovcin dhe Vesel Bunjakun. Po ashtu sipas prokurorisë ai ka thënë se nuk ka njohuri për gjuajtjen me armë të shtëpisë së Shemsi Gashit.

Agron Gashi gjithashtu mohoi në prokurori përfshirjen në përgatitjen e vrasjes, por pranoi se ishte në Brezovicë.

Shkuarjen në Brezovicë e pranoi para prokurorisë edhe Robert Gashi, por ai tha se ishte aty me xhaxhallarët dhe biseda me ta ishte e rëndomtë, ndërsa Adonis Gashi tha se ishte në Brezovicë për relaks.

Po ashtu edhe Vesel Bunjaku, në deklaratën e tij nuk ka pranuar që të jetë i përfshirë në këtë vrasje, i njëjti ka deklaruar se Adonis dhe Robert Gashin i njeh pasi që i ka shokë dhe me ta është takuar çdo natë.

Ai pranoi se nga motra e Vesel Gjinovcit e ka marrë një revole të cilën e ka fshehur në shtëpinë e tij, ndërsa tregoi në prokurori se pasi që ka dëgjuar se është arrestuar Vesel Gjinovci revolen që e kishte marrë nga e motra e Veselit dhe një revole të tij i kishte dërguar për t’i fshehur në shtëpinë e hallës së tij në Lagjen Sofali.

Pas ngritjes së aktakuzës pritet që në muajt në vijim për rastin Gashi të nisë një proces gjyqësor në gjykatën e Prishtinës.

Për vrasjen e eprorit policor KALLXO.com shkroi edhe vitin e kaluar.

http://kallxo.com/prokuroria-per-vrasjen-e-policit-u-premtuan-5-mije-euro/