Auditori gjen parregullsi në financimin e sfilatës së Blerina Kllokoqi- Rugovës

Ministria e Kulturës ka mbështetur sfilatën e modës “Koleksioni Dardania” të organizuar në verën e vitit 2017 në vlerë prej 6 000 euro.

Sfilata “Koleksioni Dardania” është mbajtur nga Blerina Kllokoqi- Rugova, e cila është bashkëshortja e Mendimit, djalit të presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugovës.

Kjo sfilatë mode është mbështetur nga MKRS me arsyetimin se “projekti ka rëndësi për promovimin kulturor të vendit”, raporton www.kallxo.com.

Në kohën kur është mbajtur sfilata e Blerina Kllokoqi-Rugovës, Ministrinë e Kulturës e drejtonte Lidhja Demokratike e Kosovës, themelues i të cilës është vjehrri i saj i ndjerë, Ibrahim Rugova.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në atë kohë drejtohej nga Kujtim Shala, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka raportuar se MKRS kishte mbështetur projektin “Koleksioni Dardania” në vlerë 6,000€ në mungesë të planit dhe arsyeshmërisë së projektit dhe se aktiviteti i realizuar kishte karakter biznesi.

Duke dhënë sqarime rreth kësaj çështjeje, Veton Firzi sekretar i përgjithshëm në Ministri të Kulturës ka thënë për KALLXO.com se komisioni i MKRS për përzgjedhjen e projekteve ka konsideruar se projekti ‘Koleksioni Dardania” ka një rëndësi për promovimin e kulturës në vend dhe sipas tij, ky sugjerim ka bërë që MKRS ta përkrahë këtë projekt.

“’Koleksioni Dardania’ ka të bëjë me një sfilatë të disenjatores Blerina Kllokoti- Rugova, e cila ka organizuar sfilatën dhe komisioni ad hoc i MKRS për vlerësimin e kërkesave të OJQ-ve apo individëve ka vlerësuar se ky projekt meriton të përkrahet në vlerën 6 000 euro dhe nuk ka konstatuar se kanë çështje biznesi po është vlerësuar si vlerë kulturore dhe ne e kemi përkrahur”, ka thënë për KALLXO.com sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi.

Por, Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e saj rreth pasqyrave financiare të MKRS për 2017 ka konstatuar se MKRS kishte mbështetur projektin “Koleksioni Dardania” në vlerë 6,000€, në mungesë të planit dhe arsyeshmërisë së projektit.

“Mjetet për këtë projekt ishin derdhur në llogari private dhe nuk dihet qëllimi i subvencionimit pasi që aktiviteti i realizuar kishte karakter biznesi. Kjo ishte në kundërshtim me rregulloren e brendshme të subvencioneve, e cila i specifikon subjektet që MKRS ka të drejtë t’i subvencionojë”, është thënë në raportin e ZKA, në çështjen 15, Subvencionim i ngjarjeve me karakter biznesi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Blerina Kllokoqi-Rugovën lidhur me subvencionimin e sfilatës së organizuar nga ajo.

Blerina Kllokoqi- Rugova tha se procedurat kanë qenë në rregull dhe se këtë lloj të financimit nga MKRS e merr tash e 10 vite.

Ajo shtoi se arsyeja pse financohen sfilatat e saj nga kjo Ministri janë për shkak se ato janë me karakter kulturor dhe janë profitabile.

“99% të tyre nuk shiten”, shtoi Blerina Kllokoqi-Rugova.

Ajo po ashtu theksoi se për të marrë këtë mbështetje financiare nga Ministria nuk ka pasur asnjë ndikim fakti se ajo është reja e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.