Zogaj: Mbiemrat e Sulmuesve të Dyshuar i Kam Hasur në Burgje

Ndonëse janë pastruar, njollat e gjakut ende janë të pranishme në hyrjen e ndërtesës ku jeton drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Sokol Zogaj ishte sulmuar dy javë më parë nga dy persona të panjohur teksa po nisej për në vendin e tij të punës.

Përveç njollave të gjakut, në murin e hyrjes së ndërtesës është edhe mbishkrimi “Je i Vdekur – Anonim”, për të cilin banorët nuk e dinë se kur është shkruar, madje as që e kishin vërejtur.

Drejtori i Burgjeve për KALLXO.com rrëfen momentin e sulmit me shkopinj bejsbolli në mëngjesin e 16 gushtit.

“Zakonisht, unë në 7:00 në mëngjes shkoj në punë. Kur kam dalë prej banesës, në fund të shkallëve, te hyrja, kanë dalë 2 veta dhe forcërisht më kanë kapë për duarsh dhe më kanë futë në terrin e një banese në katin e parë.  Menjëherë kanë filluar të më godasin me shkopinj dy veta”, ka thënë Zogaj, duke shtuar se nuk ka mundur t’i identifikojë, “por i kam pa dy fytyra të çoroditura”.

Zogaj tha se sulmi ka zgjatur rreth 30-40 sekonda.

Sulmuesit më pas janë larguar.

Ai ishte përgjakur por nuk i kishte humbur vetëdija.

Sokol Zogaj thotë se sulmuesit nuk ishin të maskuar dhe nuk ka mundur t’i identifikojë për shkak të errësirës.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës thotë se ka shpëtuar vetëm falë angazhimit të fqinjëve dhe stafit të Klinikës Emergjente të QKUK-së.

Ndërkohë, Policia ka identifikuar tre persona që dyshohet të kenë marrë pjesë në këtë sulm.

http://kallxo.com/policia-jep-detaje-per-hetimet-ne-rrahjen-e-sokol-zogajt/

E drejtori Zogaj thotë se mbiemrat e dy prej të dyshuarve i ka hasur në qendrat korrektuese.

“Si emra dy më duket se kanë qenë dikund nëpër Dubravë apo nuk e di, në institucione tjera. Nuk më kujtohet që kanë qenë emra problematikë, por më kujtohen si mbiemra që kanë qenë të dënuar apo të paraburgosur në qendrat korrektuese”, thotë Zogaj.

Sokol Zogaj është i bindur se sulmi ndaj tij nuk ka pasur të bëjë me jetën e tij private, por me pozitën e tij si drejtor gjeneral i Burgjeve të Kosovës.

“Dikujt nuk i ka pëlqy respektimi i ligjit dhe kthimi i rendit nëpër institucione”, tha ai.

64 vjeçi ka qëndruar afro tre ditë në spital dhe këtë të hënë ai është kthyer në punë.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, tha për KALLXO.com se hetimet janë duke vazhduar dhe se po punohet për të mësuar vendndodhjen e të dyshuarve, të cilët vazhdojnë të jenë në arrati.