Debat Pernime, Dita 8. Foto: Atdhe Mulla

Marrëveshja me Turqinë dhe Prodhimet vendore Ngjallin Polemika në #DebatPernime

Në #DebatPernime ku po diskutohet për Bujqësi e Industri, përfaqësuesit e të gjitha partive politike u përgjigjën shpejt në 9 pyetjet e shpejta të Jeta Xharrës.

Me PO e JO, shumica e përgjigjeve ishin të njëjta, por dallime dallimet më të mëdha ishin nëse do  ta ratifikojnë ose jo marrëveshjen për tregti të lirë me Turqinë.

Vetëvendosje tha se “duhen masa reciprociteti”. LDK-AKR tha se do ta bëjnë “vetëm kur ta marrim aprovimin e komunitetit të biznesit”. E PDK-AAK-NISMA ishte i prerë: “Jo, do ta ratifikojmë marrëveshje me vendet e BE-së”, ndërsa fjala ishte e prerë me “Po”.

Në pyetjen se a do të jetë nafta pa akcizë për bujqit, PAN; LDK-AKR-Alternativa, Vetëvendosje e Fjala thanë “Po”. Të njëjtën e thanë edhe kur u pyetën se a do ta miratojnë fondin për fatkeqësi natyrore dhe se a do t’i obligojnë marketet që të vendosin stande për të stimuluar produktet vendore.

E kur u pyetën se cilat kultura bujqësore do të stimulojnë, kishte dallime.

Vetëvendosje përmendi blegtorinë e pemëtarinë; PAN përmendi bimët, pemët thelbore e lulediellin; LDK-AKR përmendën kulturat inovative, ku thanë se hyjnë: mjedra, luledielli e duhani, si kultura të favorshme për eksport.

Ndërsa partia Fjala tha se do ta stimulojnë prodhimin e qumështit e mishit, si dhe do të stimulojnë pemëtarinë e vreshtarinë.

Në pyetjen se sa do ta ulin importin e produkteve bujqësore, VV premtoi 70% në katër vite, LDK-AKR nuk dha përqindje, PAN tha 40% e Fjala 40-50%.

Se privatizimi i tokave bujqësore ka qenë gabim, u pajtuan të gjithë, përveç PAN-it.

Në pyetjen se a do ta ndalin betonizimin e tokave bujqësore, premtuan të gjithë se do ta bëjnë. E me “PO” u  përgjigjën të gjithë ne pyetjen se nëse vijnë në pushtet do ta veshin policinë me rroba e këpucë që janë prodhim vendor.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka sjellë përfaqësues të vet as në debatin e sontëm Pernime që po transmetohet në TV 21.

Debati zgjedhor temë e të cilit është Industria e Bujqësia ka mbledhur përfaqësues të të gjitha subjekteve politike, përveç PDK-së.

Ky është debati i tetë me radhë në kuadër të fushatës zgjedhore që po bojkotohet nga PDK. Kjo parti po kërkon hapësirë më të madhe për vete dhe partitë që i mbledh në koalicion (AAK e NISMA), se sa subjektet tjera në garën zgjedhore, koalicionin LDK-AKR dhe partinë politike Vetëvendosje.

Komisioni i Pavarur për Media, javën e kaluar, kishte vlerësuar se kërkesa e PDK-së për hapësirë më të madhe në debat se subjektet tjera, është e kundërligjshme.