Zgjedhjet ia Shtuan Punën Agjencisë Kundër Korrupsionit

Konstituimi i kuvendeve dhe qeverive komunale të dala nga zgjedhjet e vitit të kaluar e kanë shtuar intensitetin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

“Në ambientet e Agjencisë Kundër Korrupsionit është shtuar intensiteti i deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë. Intensiteti i shtuar i deklarimeve përgjithësisht vjen si rrjedhojë e konstituimit të kuvendeve dhe qeverive komunale, respektivisht marrjes së detyrave në funksionet publike komunale”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në njoftim agjencia tregon se deklarimin e pasurisë brenda 30 ditësh duhet ta bëjnë vetëm zyrtarët publikë komunalë të zgjedhur për herë të parë.

“Agjencia Kundër Korrupsionit u bën thirrje të gjithë zyrtarëve të lartë, që rishtazi kanë marrë detyrën në funksionet publike, që të dorëzojnë formularët e deklarimit të pasurisë në përputhje me dispozitat ligjore”, vijon njoftimi.

Agjencia shpjegon se do t’u ndihmojë zyrtarëve të rinj gjatë deklarimit të pasurisë.

“Agjencia shpreh zotimin për të asistuar me këshilla të gjithë zyrtarët në fjalë, në mënyrë që procesi i deklarimit të pasurisë së tyre të kryhet me sukses”, sqaron AKK-ja.

Agjencia në njoftim tregon se zyrtarët e zgjedhur deklarimin duhet ta bëjnë në afatin e rregullt vjetor.

“Zyrtarët e lartë publik që janë rizgjedhur dhe që vazhdojnë funksionin deklarues, nuk janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë pas largimit nga funksioni dhe me marrjen e detyrës, por në afatin e rregullt vjetor (1 deri më 31 mars)”, tregon AKK-ja.

Agjencia Kundër Korrupsionit bën me dije se pasurinë duhet ta deklarojnë edhe zyrtarët që pas zgjedhjeve të vjetshme lanë detyrën.

“Zyrtarët që kanë lënë funksionet publike duhet ta deklarojnë pasurinë në afat prej 30 ditësh”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht në lidhje me deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.