Foto: REL/MIA

Zaev: Gjithçka kam për ‘Monstrën’ ia kam dorëzuar prokurorisë

Gjithë bisedat, përfshirë edhe ato që janë në lidhje me vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smillkovës, i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale, pohon kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Javën e kaluar në seancën gjyqësore për rastin “Monstra”, Goran Naçevski, babai i njërit nga viktimat, kërkoi nga gjykata që ta thirrë Zaevin si dëshmitar dhe të publikojë bisedën e plotë telefonike mes të akuzuarit Fejzi Aziri dhe nënkryetarit të BDI-së, Nevzat Bejtës.

Zaev tha se Aziri dhe Bejta kanë biseduar për subvencione, ndërsa nëse është e nevojshme ai do të paraqitet si dëshmitar në gjykatë, shkruan tv21.tv.

“Aziri lajmërohet dhe bisedon me kryetarin e atëhershëm të Gostivarit, Nevzat Bejta dhe e lut atë për subvencione në vlerë prej 450 eurove. Intervenon për subvencione në bujqësi. Ka disa dele dhe stalla – kjo është biseda. Unë e publikova atë bisedë, kurse prindërve u tregova edhe me kë kanë biseduar, ata që i quajnë numra të fshehura telefonike. Dhe më të fund e gjithë kjo u dorëzua”, u shpreh Zaev.

Aziri mbrëmë është kthyer në burgun e Shtipit ku po e vuan dënimin për posedim ilegal të armëve.

Ai nuk u paraqit në seancën e fundit gjyqësore nga procesi i përsëritur për rastin Monstra, ndërsa avokati i tij u arsyetua se i akuzuari gjendet në spital, përderisa burgu i Shtip-it e pat shpallur si të arratisur.

Gjykata penale vendosi që të mos e pranojë ankesën e tij që t‘i ndërpritet vuajtja e dënimit për shkak të sëmundjes.

“Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore-Shkupi 1, duke vepruar pas ankesës së të dënuarit F.A., ka marrë vendim me të cilin ankesa e të akuzuarit refuzohet si e pabazë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi 1.

Pasi që Gjykata Supreme e shfuqizoi vendimin gjyqësor të shkallës së parë dhe lëndën e ktheu në fillim, rastin e mori Prokuroria Publike Speciale.

Përveç bisedës së përmendur me Bejtën, familjet e viktimave në sallën gjyqësore pohonin se ka pasur edhe pesë bomba për funksionarë të BDI-së.

Prokurorja, Fatime Fetai, tha se PPS-ja do të përdorë gjithë teknikat dhe resurset njerëzore për të nxjerrë të vërtetën në pah.

21 Prill 2018 - 21:00

RTV 21 21/04/2018 - 21:00
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend