Xhavit Haliti

Xhavit Haliti Reagon Ndaj Gjobës nga Gjykata

Në reagimin e tij, Haliti tha se nuk ka qenë i njoftuar se është dëshmitar në këtë rast, e as ka pasur ftesë për të dhënë dëshmi sot.

Haliti u tregua i mllefosur në kryetarin e trupit gjykues, Beqir Kalludra dhe kërkoi nga ai që publikisht t’i kërkojë falje “për komprometimin tim publik”.

“Sot, mora lajmin nëpërmjet mediave se qenkam dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Albin Kurtit. Gjithashtu edhe për dënimin e shqiptuar ndaj meje prej 200 eurosh për mospjesëmarrje për të dëshmuar për këtë rast në gjykatë. Hajde gjykatës Kalludra hajde!”, tha Haliti në reagim.

Për mospjesëmarrje në seancë, Haliti u gjobit me 200 euro, njëjtë sikur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe dy deputetët tjerë Armend Zemaj e Naser Osmani.

“Po si të vij dëshmitar pa u njoftuar asnjëherë që jam dëshmitar, pa më dërguar ftesë asnjëherë, apo u dashka që për kapriçot tuaja të shqiptoni dënime komprometuese duke keqpërdorur ligjin? Për hir të opinionit dhe jo për ndonjë shqetësim tjetër dua të njoftoj se: nga gjykata s’kam marrë asnjë herë njoftim as thirrje për të qenë dëshmitar. Prandaj duke marrë këtë për bazë, publikisht kërkoj nga gjyqtari Kalludra që të respektoj rregullat për ftesën e dëshmitarëve dhe në përputhje me këtë të zbatoj ligjin”, tha Haliti.