Pamje pas takimit mes Ramush Haradinajt dhe Fadil Vokrrit - Foto: ZKM

Vokrri Kërkon edhe 3 Milionë Euro për Stadiumin e Prishtinës

Kryeministri Ramush Haradinaj në një takim me udhëheqjen e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ka biseduar, ndër të tjera, edhe për stadiumin kombëtar që do të ndërtohet në Bërnicë të Prishtinës.

Në këtë takim, kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, kërkoi përfshirjen e Qeverisë Haradinaj, përkatësisht të MKRS dhe Ministrisë së Financave në përshpejtimin e mbarimit të punëve në stadiumin e KF “Prishtina”.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, në takim është kërkuar që të shikohet mundësia që gjatë rishikimit të buxhetit të shtetit për vitin 2017 të intervenohet me rreth 3 milionë euro që të garantohet kryerja e këtij stadiumi të standardeve të UEFA-s.

Po ashtu, Vokrri e njoftoi kryeministrin Haradinaj për fillimin e studimit të fizibilitetit për stadiumin kombëtar, që do të ndërtohet në Bërnicë të Prishtinës dhe kapacitetet që ai do të ketë si dhe për objektet e tjera përcjellëse.

Udhëheqja e FFK-së i ofroi bashkëpunim të parezervë Qeverisë Haradinaj në realizimin e objektivave qeverisëse sa i përket futbollit kosovar dhe infrastrukturës, por edhe plotësimit dhe zbatimit të Ligjit për Sponsorizim.

Në fund, kryetari i FFK-së i dhuroi kryeministrit fanellën e përfaqësueses kosovare në futboll, me numrin 1.