Video: Vëllezërit Panxha nuk Flasin Asnjë Fjalë në Gjykatë

Tre vëllezërit Panxha të dyshuar për vrasjen e Arsim dhe Ramiz Berishës nuk folën fare në seancën e caktimit të masës së sigurisë.

Binak, Valon e Xhavit Panxha, të dyshuar për vrasjen e vëllezërve Arsim e Ramiz Berisha në malin e fshatit Kosuriq të Pejës të shtunën, përveç që përkrahën fjalët e avokatëve të tyre, nuk e folën asnjë fjalë në gjykatë.

NDËRLIDHUR

Në seancën e caktimit të masës së sigurisë prokurori Agron Galani kërkoi paraburgim për të dyshuarit, duke e mbështetur këtë kërkesë në rrezikun se të pandehurit mund të arratisen dhe të njëjtit mund t’i koordinojë deklaratat e tyre në liri dhe njëkohësisht te ndikojnë tek dëshmitari Jetlir Gashi.

Të shtunën, pak minuta pas mesnate vëllezërit Arsim e Ramiz Berisha, sipas familjarëve të tyre, bashkë me Jetlir Gashin kishin shkuar në mal për të prerë dru, ndërsa  pastaj ishin gjetur të vrarë.

Policia në mëngjesin e së shtunës për këtë vrasje të dyfishtë i arrestoi tre vëllezërit Panxha, edhe pse vëllai tjetër i tyre Haxhi Panxha mohoi kur foli për KALLXO.com se vëllezërit e tij janë kryerësit e këtij krimi.

Prokurori Galani kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj vëllezërve Panxha e bazoi edhe te deklaratat kundërthënëse të të arrestuarve në polici në lidhje me vendin ku ndodheshin kur u krye vrasja.

“Rezulton se deklaratat e të pandehurve Valon, Binak e Xhavit Panxha rreth banimit të tyre sa i përket ku kanë qenë në kohën e kryerjes së veprës penale nuk përputhen me njëra tjetrën,e as me deklaratat e vëllait të tyre, këtu të pandehurit Xhavit Panxha”, tha prokurori Agron Galani.

Prokurori tregoi se hetimet për vrasjen e vëllezërve Berisha kanë nisur të dielën, një ditë pas vrasjes së tyre.

Xhelal Radoniqi avokati i Binak Panxhës kundërshtoi kërkesën e prokurorit për masën e paraburgimit me arsyetimin se nuk ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e vrasjes nga i mbrojturi i tij.

Sabrije Abazi, avokatja sipas detyrës zyrtare e Valon Panxhës tha se i mbrojturi i saj në momentin kur ndodhi vrasja ndodhej në Pejë.

“Sa i përket të mbrojturit tim, sipas deklaratës së tij, ai nuk ka asnjë lidhje me kryerjen e kësaj vepre penale për të cilën dyshohet. E ka dhënë deklaratën në polici dhe e ka thënë në mënyrë të qartë se kohën kur është kryer vepra penale, ai ka qenë në Pejë të vëllai i tij”, tha avokatja Abazi.

Avokatja Abazi tha se i mbrojturi i saj jeton jashtë vendit dhe mjafton t’i konfiskohet pasaporta për të parandaluar arratisjen e mundshme të tij.

Edhe Muharrem Hoti, avokat i Xhavit Panxhës kundërshtoi kërkesën për paraburgim me arsyen se prokurori ka dyshim të arsyeshëm e jo të bazuar se Panxhajt kanë kryer vrasjen.

Vrasja e vëllezërve Berisha ndodhi në pronën e të arrestuarve.

Avokati Hoti tha në gjykatë se fakti që vrasja ka ndodhur në pronën e klientit të tij nuk do të thotë se vepra është kryer nga pronari.

Gjykata gjatë ditës do të vendosë rreth masës së sigurisë ndaj tre vëllezërve Panxha.

Të shtunën të afërm të vëllezërve të vrarë Berisha treguan për KALLXO.com historinë e dhimbshme familjare.

Vëllezërve Berisha që u vranë të shtunën për një problem pronësor edhe 11 vjet më parë i ishin vrarë dy vëllezër.

Edhe babai i vëllezërve Berisha ishte vrarë për të njëjtën çështje, ndërsa në këtë familje aktualisht jetojnë veç nëna e moshuar e djemve të vrarë dhe gruaja e njërit prej tyre.

Vëllezërit që u Vranë Kishin Shkuar në Mal për Dru

Për KALLXO.com foli edhe Haxhi Panxha, njëri nga vëllezërit e të arrestuarve që tha se me Berishët familja e tij asnjëherë nuk ka pasur ndonjë të keqe.

24 Korrik 2017 - 15:07

Shkodran Nikçi 24/07/2017 - 15:07
NDËRVEPRIMI113

Video: Vëllezërit Panxha nuk Flasin Asnjë Fjalë në Gjykatë

by Shkodran Nikçi
NA NDIQNI

Send this to a friend