
Kërkohet raport psikiatrik për Pjetër Ndrecajn
I akuzuari për vrasjen e gruas së tij dhe vajzës së tij 9 vjeçare, Pjetër Ndrecaj, është sjellë para Gjykatës në Gjakovë për ta kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Pjetër Ndrecaj, avokati Ndrec Dodaj kundërshtimin e aktakuzës e kishte bërë me shkrim.
Avokati kishte kërkuar që të nxjerren prova të reja, përkatësisht të sigurohet një raport psikiatrik lidhur me gjendjen mendore të të akuzuarit me rastin e kryerjes së veprës penale.
Poashtu, Dodaj kishte kërkuar që ekzaminimi psikiatrik i të akuzarit Pjetër Ndrecaj, që ishte bërë disa muaj para vrasjes të merret si provë e papranueshme.
Ky ekzaminim ishte bërë në muajin qershor kur ka ndodhur dhuna në familje, ndërsa vrasja e dyfishtë ka ndodhur në muajin gusht.
Në anën tjetër mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Isa Osdautaj, kërkoi nga gjykata që mos ta pranojë propozimin e avokatit Ndrec Dodaj.
Ndërsa prokurori Ali Uka, kërkoj nga gjykatësi Gëzim Pozhegu që të hudhet poshtë kundërshtimi i aktakuzës dhe aktakuza të vlerësohet si e mbështetur në prova dhe fakte të sigurta.
Ndërkaq gjykatësi Gëzim Pozhegu, tha se lidhur me propozimet e palëve do të vendos me vendim të veqantë.
Në seancën e kaluar, Pjetër Ndrecaj nuk e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.
Ai ishte sjellur në gjykatë i lidhur më zinxhirë.
Për këtë rast ishte kërkuar përjashtimi i gjykatës dhe prokurorisë.
Pjetër Ndrecaj, ishte gjykuar e dënuar për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij.
Nga Gjykata e Apelit, Pjetër Ndrecajt, iu dha dënimi më i lartë në Kosovë, dënim ky me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Supreme kishte vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.
Kolegji i Gjykatës Supreme, kishte konstatuar se në aktgjykimin e shkallës së parë ishin bërë shkelje esenciale të procedurës penale, e më pas gjykata e shkallës së dytë kishte kaluar mbi këto shkelje.
Bëhet e ditur tashmë se para tre muajsh, ishte djegur shtëpia ku jetonte familja e Valbona Marku Ndrecaj.
Aktakuza thotë se Valbona Ndrecaj së bashku me vajzën e saj ishin qëlluar për vdekje nga kryefamiljari mbrëmjen e shtatë gushtit 2018.