Komisioni për Legjislacion - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Projektligji që Fal Deputetët për Gazin Kalon Pengesën e Parë

Megjithëse kryesuesja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, abstenoi lidhur me Projektligjin për Amnistinë që i fal deputetët për hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës, Komisioni miratoi në parim këtë projektligj me 4 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim.

Duke prezantuar pikat e rendit të ditës, Haxhiu tha se nuk mund të marrë pjesë në votim pasi që ajo vetë është e dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për këtë vepër.

Votimit i parapriu diskutimi i anëtarëve të Komisionit të cilët me përjashtim të Korab Sejdiut, e mbështetën këtë Projektligj.

Edhe pse nga partia në pushtet, anëtari i PDK-së Hajdar Beqa tha se e mbështet këtë Projektligj madje ai propozoi që të zgjatet periudha e faljes.

“Unë si deputet dhe zëvendës kryesues i Komisionit e mbështes këtë Projektligj, në këtë fazë për të shkuar më tutje por e kam një propozim konkret. Gjatës periudhës 25 usht 2015-10 maj 2017, ne kemi pasë raste edhe në vitin 2018 kur është hedhë gazi në Kuvendin e Kosovës dhe krijojmë një situatë të pahijshme kur për një periudhë falim e për një tjetër jo andaj të shtohet deri në mars të vitit 2018”, tha Beqa.

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën, tha se e mbështet këtë Projektligj, por pati disa vërejtje.

“Nëse këtu vazhdojmë të bëjmë lojë të tillë si ‘unë nuk dua Ligj për Amnisti sepse nuk jam fajtor’ dhe Ligji për Amnisti zakonisht kush kërkon dhe voton këtë ligj pranon që ka qenë fajtor. Mendoj se këtu duhet të ndajmë fajin politik nga ai ligjor”, tha Sherifi.

Ndryshe nga parafolësit, deputeti Korab Sejdiu nga LDK tha se ky subjekt e kundërshton këtë Projektligj.

“Mendoj se ky ligj e tejkalon qëllimin që e ka sepse qëllimi i njëjtë do të kishte mundur të arrihet edhe në procedura gjyqësore veçanërisht duke pas parasysh që këto janë vepra penale që kryhen vetëm me dashje dhe jo nga pakujdesia dhe çështja që ka mundur ta ketë gjykata parasysh është çështja e mungesës së qëllimit kriminal por edhe çështja tjetër, mbrojtja e nevojshme, pasi që të gjitha ata që kanë kryer këto vepra ose akuzohen se kanë kryer e kanë bërë të qartë qëllimin se pse e kanë kry”, tha Sejdiu.

Me këtë Projektligj trajtohen kushtet dhe procedurat për vendosjen e amnistisë për deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët janë në ndjekje penale apo për deputetët të cilët mund të jenë objekt i ndjekjes penale për veprat penale të kryera gjatë periudhës 25 gusht 2015 deri më 10 maj 2017.

Në këtë mbledhje, përpos këtij Projektligji u miratuan edhe Projektligjet për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial si dhe marrëveshja për ekstradim me Hungarinë.

Për dy të parat numër të madh të vërejtjeve pati edhe deputeti, Sami Kurteshi por u akordua që këto vërejtje të diskutohen në grupet punuese.

BIRN dhe Internews  si organizata që për më shumë se 11 vjet e monitorojnë dhe avokojnë në sistemin e drejtësisë,  do të japin rekomandimet e tyre lidhur me këto dy projektligje.