Kadri Veseli - Foto: KALLXO.com

Veseli: Gjykata Speciale do të Ndodhë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka treguar qëndrimin e tij lidhur me Gjykatën Speciale.

Në një kolumne për “Gazeta Express”, Veseli ka thënë se edhe pse Kosova e ka merituar më së paku në botë, Gjykata Speciale do të ndodhë.

Por, ka theksuar ai, duhet të jemi të përgatitur dhe të bëjmë krejt çka është e mundur që dëmtimi i shtetit të jetë sa më i vogël.

Ditën e  22 dhjetorit, kur u tentua të futej në votim shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale, Veseli e ka quajtur “një ditë dramatike”. Dramacitetit të saj, sipas tij, i kontribuan të gjithë.

“Përveç disa shqetësimeve të karakterit pragmatik, asaj nate nuk i mungoi edhe aktrimi politik dhe shfaqjet e mllefit e të revanshizmit tipik ballkanik”, ka shkruar kreu i Kuvendit.

Për LDK-në, për të cilën thotë se tradicionalisht është apatike, atë natë ishte hiperaktive. “Dukej hapur se donte të shfrytëzonte momentumin e “qëndrimit të fortë” kundër, të ndërkombëtarëve ndaj iniciativës, për t’u dhënë goditje “armiqve të vjetër të kohës së luftës”, të cilët po tentonin “të ndalnin” Gjykatën Speciale. Natyrisht, në prapavijë të këtij qëndrimi të LDK-së, nuk gjendej asgjë tjetër, veç idesë se goditja e kundërshtarëve të saj nënkupton avantazh për rikthimin në pushtet”, ka shtuar ai.

Veseli ka kritikuar edhe Vetëvendosjen, për të cilën tha se aq shumë e vetëshpallur si revolucionare dhe e padëgjueshme ndaj ndërkombëtarëve, atë natë dha shembullin e një dëgjueshmërie ekstreme. “Një kërcim i madh revolucionar nga “idealizmi i pakompromis” në oportunizëm brutal. Kuptohet, për një arsye të vetme: Gjykata Speciale si mundësi për të ardhur në pushtet”, thekson Veseli në këtë kolumne për “Gazetën Express”.

Lidhur me përpjekjen e 22 dhjetorit, Veseli tha se ishte një mësim për të gjithë.

Për iniciuesit e nismës tha se dështuan për shkak se nuk ishin të përgatitur dhe serioz.

Me këtë rast ai kritikon LDK-në, për të cilën tha se duhet ta kuptojë se mundja e kundërshtarëve politikë, përmes gjykatave, nuk është rruga e duhur drejt pushtetit.

Kurse për Vetëvendosjen, Veseli ka një porosi: Duhet ta kuptojë se ka edhe truqe në politikë. “Rebelizmi i tyre politik, do të duhej t’i shërbente forcimit të shtetit, e jo shkatërrimit të tij, siç e kemi parë deri me tani”.

Lidhur me partnerët ndërkombëtarë, Veseli në të njëjtën kolumne thotë se Kosova ka nevojë për përkrahje dhe mirëkuptim, në mënyrë që nga gjendja aktuale e vendnumërimit- të ecim përpara, “e jo t’u japim shpresa forcave të errëta që duan ta kthejnë pas historinë dhe ta zhysin përsëri Ballkanin në paqartësi dhe jostabilitet”.

“Kosova i ka problemet e saj reale, por ekzagjerimi i tyre për të arsyetuar izolimin e saj është i papranueshëm. Politika e standardeve të dyfishta është e pajustifikueshme. Ajo nuk i ndihmon askujt që dëshiron ta shoh Ballkanin pjesë integrale të strukturave euro-atlantike”.

08 Janar 2018 - 11:27

Naser Sertolli 08/01/2018 - 11:27
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend