Pamje nga një takim i KPK-së - Foto: KALLXO.com

U Vazhdohet Mandati 17 Prokurorëve të EULEX-it

Këshilli Prokurorial i Kosovës mori vendim unanim për t’ua vazhduar mandatin 17 prokurorëve të EULEX-it.

Në këtë takim të KPK-së u aprovua edhe kërkesa për emërimin e një prokuroreje tjetër të misionit evropian.

Emrat e prokuroreve të cilëve iu vazhdua mandati nuk u bënë publikë.

Nga gjashtë pikat e rendit të ditës Këshilli Prokurorial për të gjitha vendosi në formë unanime dhe pa diskutime të hollësishme.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi dha opinionin e tij sa i përket pikës e cila kishte të bënte me vlerësimin e përformancës së prokurorëve.

Sipas tij, kryeprokurorët e prokurorive përkatëse duhen që për çdo ankesë për sjellje të pahijshme t’i drejtohen Zyrës së Prokurorit Disiplinor.

Lumezi theksoi se zakonisht kryeprokurorët po bëjnë vlerësime pozitive për përformancën e prokurorëve.

Bahri Hyseni, kryesues i Komisionit për çështje normative para anëtarëve të KPK-së paraqiti rregulloren e re për procedurën disiplinore për anëtarët e Këshillit Prokurorial.

Me këtë rast, ai tha se me atë rregullore janë përcaktuar parimet për sjelljet e pahijshme siç përcaktohen me Kodin e Etikës së Prokurorëve.

Ai shtoi se Komisioni treanëtarësh me shumicë të votave do të vendosë për masat që do të jepen për anëtarët e KPK-së.

Si masa që mund t’u jepen anëtarëve të KPK-së në rastet e sjelljes së pahijshme ai përmendi qortimin, masën e pezullimit të përkohshëm  dhe propozimin për shkarkim si masë më të rëndë.

Si pika të rendit të ditës që u aprovuan me unanimitet ishin edhe aprovimi i transkriptit dhe procesverbalit të takimit 118 të Këshillit Prokurorial të datës 07 korrik 2016, propozimi për ndryshim dhe plotësim të Rregullores Nr.01/2015 mbi Rolin dhe Veprimtarinë e Bordit Drejtues të projektit TIK/SMI.