Xhami i dëmtuar i autobusit | Foto: Facebook

I Thyhet Xhami një Autobusi të Ri të Prishtinës

Njërit nga 30 autobusët e rinj të “Trafikut Urban” që nisën dje qarkullimin në linjat 1 dhe 4, i është thyer xhami.

Thyerja e xhamit të autobusit sipas policisë ndodhi pak pas mesditës së sotme.

“Ju informojmë që me datën 18.02.2017 diku rreth ores 12:30 është pranuar informata për një thyerje të xhamit të autobusit të ‘Trafikut Urban’ në  Rrugën ‘Xheladin Hana’ – Prishtinë,” tha Bajram Krasniqi, njëri nga zëdhënësit e policisë.

Sipas njoftimit të policisë, i ankuari për thyerjen e xhamit me inicialet H. M. është në Stacionin Policor “Qendra” duke e dhënë deklaratën e tij, ndërsa njësitë e nevojshme policore kanë dalë në vend të ngjarjes.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka nxjerrë në faqen e tij të Facebook-ut fotografinë e autobusit të dëmtuar, duke e shoqëruar me komentin “Kot e kanë! Prishtina po bëhet”.

Foton e autobusit që iu dëmtua xhami, e postoi në Facebook edhe deputeti i “Vetëvendosjes” Rexhep Selimi me fjalët “Pa koment”.

30 autobusët e rinj të Prishtinës u lëshuan në qarkullim dje në përvjetorin e nëntë të shpalljes së pavarësisë.

Për nder të kësaj dite të shënuar, këta autobusë dje lëvizën linjave të tyre pa pagesë.

KALLXO.com shkroi dje për interesimin e madh të prishtinasve për të udhëtar me autobusët e rinj.

http://kallxo.com/brenda-nje-autobusi-te-ri-te-prishtines/

Këta autobusë të blerë me një kredi të Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim erdhën në Prishtinë më 30 dhjetor 2016.

http://kallxo.com/autobuset-shkelin-prishtinen/

Rreth kredisë për blerjen e këtyre autobusëve kishte shumë përplasje mes pushtetit lokal të Prishtinës dhe atij qendror të Kosovës, por edhe partive në pushtet dhe opozitë në kryeqytet.

Ky problem u tejkalua pasi Komuna e Prishtinës garantoi BERZh-in se do ta paguajë ajo kredinë, nëse “Trafiku Urban” nuk mundet.

Historinë e mospajtimeve për kredinë rreth autobusëve mund ta lexoni këtu.