Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rritja e çmimit të biletës së autobusëve, kusht i BERZH-it për blerjen e 30 autobusëve të rinj nga 'Trafiku Urban'

Blerja e 30 autobusëve të rinj për “Trafikun Urban” në Prishtinë është në fillim të procedurave, por Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka vënë kushte.

Për blerjen e tyre, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka vënë kusht rritjen e çmimit të biletës nga 40 në 50 centë.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Agron Canolli, pjesëtar i Komisionit Komunal të Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike Lokale ‘Trafiku Urban’.

Ai tregoi se janë në komunikim trepalësh me Drejtorinë e Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës dhe me BERZh-in, duke shtuar se sapo te merret ndonjë vendim, do të bëhet publik.

Administrata e “Trafikut Urban” ka thënë për KALLXO.com se planifikohet që këta autobusë të vijnë vitin tjetër.

Ndërkohë, Trafiku Urban është ende duke paguar kredi për 51 autobusët e sjellur në vitin 2016 në vlerë prej 10 milionë eurove.