Thaçi: Në Ditët e Ardhshme Data për Liberalizimin

Presidenti Hashim Thaçi në një postim në rrjetet sociale njofton se pret që në ditët e ardhshme Kosova të marrë rekomandimin për datën se kur qytetarët kosovarë do të lëvizin të lirë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Kosova ka kryer të gjitha obligimet e veta për implementimin e kritereve demokratike. Liberalizimi i vizave është një e arritur e vonuar, por vonesa nuk e zvogëlon atë, sepse për shtetin dhe qytetarët e Kosovës përbën një të arritur historike”, ka shkruar presidenti Thaçi në llogarinë e tij në “Facebook”.

Kufijtë evropianë, ka shkruar ai më tej, do të jenë gjithnjë të hapur për fëmijët tanë.

“Ata do ta shijojnë lëvizjen e lirë, do t’i takojnë bashkëmoshatarët europianë, do të krijojnë lidhje të reja të miqësisë dhe do t’i forcojnë edhe më shumë lidhjet me familjarët e tyre në diasporë”, thekson presidenti në këtë postim.