Nga protestat e sotme me bllokim rrugësh | Foto: KALLXO.com

Thaçi Kritikon Protestuesit që Bllokuan Rrugët

Në një deklaratë të tij, Hashim Thaçi tha se “bllokimi i rrugëve brenda në Kosovë është bllokim i rrugëve të Kosovës në botë”.

“Kjo qasje është tërësisht e papranueshme, sepse liria e lëvizjes, liria e tubimit, liria e mendimit politik dhe liria e shprehjes janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës”, tha Thaçi.

Sipas tij, këto liri vlejnë për çdo qytetar të Kosovës dhe “askush nuk do të lejohet që t’i cenojë këto të drejta, pa marrë parasysh dallimet në bindje e qëndrime”.

Bllokime të tilla rrugësh sot ka pasur në pesë lokacione në tërë Kosovën.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore që ta garantojnë mbrojtjen e këtyre lirive “për secilin qytetar”.

“Nga logjika e bllokimit të rrugëve, sikurse ndodhi sot në disa qytete të Kosovës, më së shumti përfitojnë ata që nuk ia duan të mirën shtetit tonë”, tha ai.

Aktualisht në Leposaviq është duke qëndruar shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i shoqëruar me dy ministra tjerë të qeverisë serbe.

Në këtë tubim, ata po mbështesin kandidaturën e Aleksandar Vuçiqit për President të Serbisë.