Edita Tahiri, Ministre për Dialog

Tahiri: BE të Ndalë Destruksionet e Serbisë

Ministrja Edita Tahiri kërkoi nga Bashkimi Evropian që të ndërhyjë për ndaljen e destruksioneve të Serbisë, që sipas saj po bëhen çdo ditë me mjete të ndryshme.

Pas sulmit të mbrëmshëm me bombë ndaj zyrave të Qeverisë në Mitrovicën Veriore, të inauguruara më 28 dhjetor 2016 nga vetë ajo, ministrja e Dialogut iu ka drejtuar menjëherë BE-së me një letër.

Në të ajo vlerëson se Serbia ka ndërmarrë veprimet e fundit me qëllim të tërheqjes nga dialogu me Kosovën.

“Për mendimin tim, duket se Serbia është duke u tërhequr nga dialogu dhe po i kthehet mendësisë së vjetër, ngase po shkon kundër marrëveshjeve që vet i ka nënshkruar, madje me bomba, mure, arrestime arbitrare kundër qytetarëve të Kosovës, etj.“, shkroi Edita Tahiri.

Ajo më tutje ka kërkuar nga BE që të merr parasysh pasojat që mund të vijnë nëse kjo gjendje nuk shikohet me seriozitet.

“Kërkoj nga BE-ja që të shikojë këtë gjendje me seriozitet dhe të ndërhyjë tek pala serbe që të qëndrojë në linjë me frymën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përndryshe, pasojat do të jenë të paparashikueshme”, thekson në këtë letër Edita Tahiri.